Lidhje

Tiranë: Avokati i Popullit publikon planin për refugjatët


Avokati i Popullit, Igli Totozani, publikoi në Tiranë Planin e përbashkët rajonal të Veprimit për të përballuar krizën e refugjatëve.

Ky Plan Veprimi u miratua në Selanik nga Avokatët e Popullit të 9 shteteve të rajonit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Zoti Totozani tha se Plani i miratuar gjerësisht e përgatit Shqipërinë për të përballuar krizën e refugjatëve në rast të një fluksi të mundshëm.

Plani i përbashkët theksoi se refugjatët gëzojnë të drejtën e mbrojtjes nga çdo diskriminim dhe shtetet duhet të sigurojnë mbrojtjen e tyre.

Ky plan veprimi u miratua nga Shqipëria, Austria, Kroacia, Greqia, Kosova, Maqedonia, Serbia, Sllovenia dhe Turqia gjatë një konference në Selanik.

Ai parashikon procedura të përbashkëta standarde për trajtimin e të sapoardhurve dhe të grupeve më vulnerabël midis tyre.

Krahas qeverisë qendrore, Avokati i Popullit, tha se një rol me rëndësi kanë pushteti vendor si dhe bashkëpunimi ndërkufitar mes shteteve për të drejtat e refugjatëve.

Greqia ka strehuar pranë kufijve me Shqipërinë një numër refugjtësh sirianë.

Italia ka shprehur shqetësimin se, me mbylljen e rrugëve të Ballkanit, Shqipëria mund të jetë rruga e re e depërtimit të refugjatëve sirianë drejt Bashkimit Europian.

Ministri i jashtëm italian, Anxhelino Alfano, pritet të vizitojë Tiranën këtë javë për të forcuar bashkëpunimin në kontrollin e kufirit përmes një marrëveshje të re.

Pak ditë më parë Shqipërinë e vizitoi Komisioneri Europian për Çështjet e Migracionit dhe Sigurisë, Dimitris Avramopoulos.

Ai deklaroi se Komisioni Europian i ofron Shqipërisë gjithë mbështetjen në rast të një fluksi refugjatësh, ndonëse nuk ka të dhëna për flukse të papritura të migrantëve.

Zoti Avramopulos tha se Tirana nuk do të jetë vetëm në këtë përballje, se nuk ka të dhëna për ndonjë fluks, por se të gjithë duhet të jenë të përgatitur për çdo mundësie.

Shqipëria ka shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar si pjesë e një plani të përbashkët europian për trajtimin e refugjatëve.

Ministri i brendshëm, Saimir Tahiri ka kërkuar më shumë bashkëpunim me informacion dhe struktura profesionale për pritjen fillestare të refugjatëve të mundshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG