Lidhje

Shqipëri: Debat në parlament për BE


Parlamenti në Tiranë zhvilloi një diskutim të gjatë mbi ecurinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Opozita e kritikoi qeverinë e re për humbje kohe dhe zvarritje të procesit të integrimit. Ndërsa qeveria kërkoi bashkëpunim për arritjen e objektivave të përbashkëta.


Parlamenti shqiptar zhvilloi për shumë orësh qysh nga mesdita një debat mbi ecurinë e integrimit evropian, me kërkesë nga grupi parlamentar i partisë demokratike të opozitës me shqetësimin se qeveria e re nuk po angazhohet sa duhet për të përmbushur detyrimet e Bashkimit Europian dhe për të marrë statusin e vendit kandidat. Opozita pohoi me shqetësim se qeveria e re socialiste ende vazhdon të kërkojë gabimet e opozitës në rrugën drejt BE-së dhe nuk po përfshihet në ritmet e punëve europiane të Shqipërisë, si lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Deputetë të partisë demokratike pohuan se partia socialiste dhe qeveria e saj nuk ndoqën rrugën e zakonshme në marrëdhëniet me BE, por shkelën ligjet si në fushën ekonomike ashtu edhe për statusin e nëpunësit civil, i miratuar me mirëkuptim nga partitë politike. Por duke përgënjeshtruar dhe sqaruar disa pretendime të opozitës, ministri i jashtëm Ditmir Bushati tha se këto 3 javë janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë sepse vendoset nëse do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. Zoti Bushati theksoi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së ka shumë nevojë edhe për ndihmesën e opozitës, në mënyrë që këto objektiva mbarëpopullore europiane të arrihen sa më parë

Në fund të seancës për integrimin në BE votoi me mirëkuptim një rezolutë ku shprehet angazhimi i të gjitha forcave politike për të bashkëpunuar në arritjen e objektivave të përbashkëta të Shqipërisë në rrugën e integrimit.

XS
SM
MD
LG