Lidhje

Asgjësohen mijëra rrënjë marijuane në juglindje të Shqipërisë


Policia shqiptare publikoi foto të plantacioneve të mëdha të mbjella me narkotikë në zonën kufitare të Kolonjës me Përmetin, në Juglindje të Shqipërisë. Pamjet flasin për rreth 18 mijë bimë të mbjella në zonën pyjore, të cilat janë asgjësuar dy ditët e fundit nga repartet policore të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Sipas burimeve zyrtare në operacion janë përfshirë edhe Strukturat e Shërbimit për çështjet e Brendshme në polici, të cilat hetojnë përfshirjen e zyrtarëve të policisë në këto vepra penale.

Sipas burimeve jo zyrtare policore, banorët kishin paralajmëruar për këto sipërfaqe dhe për këtë arsye është vënë nën hetim edhe mosveprimi policor.

Inspektorë policie të zonave dhe drejtues vendorë të policisë në disa qarqe, janë akuzuar nga Partia Demokratike e opozitës si përgjegjës për mbjelljet e mëdha të marijuanës, por Polica e Shtetit i ka hedhur poshtë akuzat duke i quajtur sulmet politike.

Policia tha sot se ndërhyri për shkatërrimin e zona të mbjella me narkotikë edhe në zonën e Kurveleshit në Tepelenë. Kjo zonë ka qenë edhe gjatë viteve të shkuara në shënjestër të kultivuesve dhe trafikantëve për shkak të terrenit mjaft të thyer malor.

Kultivimi i marijuanës mori përmasa këtë vit në mjaft zona ku nuk ishte shfaqur asnjëherë më parë. Policia tha në pranverë se dukuria ishte “në tendencë”, por më pas u detyrua të pranojë shtrirjen e aktivitetit kriminal në zonat e thella malore.

Agjentët e antidrogës kanë vërejtur këtë vit kultivim marijuane nga elementë kriminalë që organizojnë më pas edhe transportimin e marijuanës drejt Italisë dhe Greqisë.

Ditët e fundit policia italiane ka bllokuar disa ngarkesa masive me marijuanë. Një 37 vjeçar nga Vlora u ndalua në Brindizi me 200 kilogramë marijuanë ndërkohë që pak ditë më parë policia italiane kishte sekuestruar mbi 2 tonë marijuanë me prejardhje nga Shqipëria duke arrestuar 5 skafistë shqiptarë.

Policia shqiptare dhe italiane kanë një marrëveshje të ndërsjellë për bashkëpunimin ndërkufitar që përfshin edhe monitorime nga ajri të territorit shqiptar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG