Lidhje

Presidenti Nishani kthen pas tre ligje

  • Armand Mero

Në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani ktheu sot për rishqyrtim në parlament tre ligje të miratuara me votat e shumicës së majtë në seancën e fundit të 31 korrikut. Bëhet fjalë për Ligjin e ri për policinë e Shtetit, si dhe ndryshimet në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, dhe ato për Gjykatën administrative. I menjehërshëm ka qenë reagimi i kryeministrit Edi Rama. Duke ju referuar ligjit për policinë ai është shprehur se presidenti ka përdoruar sipas tij, pseudoargumentat e partisë demokratike dhe ka shtuar se megjithatë parlamenti do ta kalojë sërish atë pa asnjë ndryshim.

Duket se është kthyer më shumë në një luftë nervash marrëdhënia mes presidentit Bujar Nishani dhe shumicës së majtë qeverisëse. Një marrëdhënie e cila ka nisur e tendosur dhe ka vazhduar përmes një acarimi në rritje, me episode ku nuk kanë munguar shkëmbimet e replikave dhe akuzave të forta mes palëve. Vendimi i sotëm i kreut të shtetit për të kthyer tre ligje të miratuara në seancën e fundit të 31 korrikut, vetëm me votat e së majtës, bëhet kështu pjesë e këtij mozaiku konfliktesh.

Në ligjin për Policinë e shtetit presidenti Nishani ka kundërshtuar kalimin e kompetencave të ruajtjes së personaliteteve nga Garda te policia, varësinë e Policisë së Shtetit direkt te Ministri si dhe krijimin e Byrosë kombëtare të Hetimit, një strukturë e trumbetuar nga qeveria si një mekanizëm që do të forcojë dukshëm luftën ndaj korrupsionit, por që sipas presidentit Nishani, krijon një paralelizëm me prokurorinë dhe policinë gjyqësore.

Një tjetër ligj i kthyer është ai me ndryshimet për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili u shoqërua me debate të shumta dhe me kundërshti të forta dhe nga vetë KLD-ja. Por presidenti ka kundërshtuar vetëm një aspekt të tij, atë që lidhet me kufizimin e përzgjedhjes së kandidatëve për nënkryetar, vetëm mes tre anëtarëve të Këshillit të propozuar nga parlamenti.

Po kështu, në ndryshimet për gjykatat administrative, presidenti nuk është dakort me kompetencat që i njihen kancelarit për emërimin e shkarkimin e ndihmësave ligjor, duke qenë se kancaleri është një figurë nën varësinë e ministrit të Drejtësisë.

Ndaj vendimit të presidentit reagoi kryeministri, i cili komentoi në Twitter kthimin pas të ligjit për policinë duke shkruar se ndiente “keqardhje” e duke theksuar se presidenti “rreshton pseudoargumentat e PD për një ligj të punuar me partnerët ndërkombëtarë”.

Me tej në një tjetër postim kryeministri shprehet se “Eshtë e kotë. Refoma nuk ndalet” dhe se parlamenti “do ta kalojë përsëri Ligjin e Policisë pa asnjë ndryshim”, duke ju referuar të drejtës së deputetëve për të mos marrë parasysh vërejtjet e kreut të shtetit.

Të hënën që shkoi kthimi pas i ndryshimeve në ligjin për Shkollën e Magjistraturës provokoi një zinxhir replikash mes kryeminisrit dhe presidentit përmes rrjeteve sociale. Kreu i shtetit kritikoi kryeministrin për autoritarizëm, apo për të ashtuquajtura reforma që sipas tij ishin një plotësim i tekave të zotit Rama.

Ndërsa shumica e majtë ka kthyer pas disa kandidatura të kreut të shtetit për emërime gjyqtarësh, ky i fundit nga ana e tij ka bërë të njejtën gjë me një numër jo të vogël ligjesh, ndërsa në disa raste të tjera e ka shprehur mosaprovimin e tij, duke kaluar në heshtje, të paktën 5 ligje, që nga fillimi i këtij viti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG