Lidhje

PS, PD, deklarata pas tërheqjes së Zaganjorit

  • Armand Mero

Pas tërheqjes nga gara presidenciale të kandidatit të propozuar nga maxhoranca, PS dhe PD përsëritën qëndrimet e mëparshme për procesin.

Pas tërheqjes së kandidatit të shumicës Xhezair Zaganjori, Partia Socialiste, e cila kishte refuzuar emrin e tij, tha në mbrëmje se sipas saj tani është rihapur rruga e konsensusit.

Kryetari socialist Edi Rama deklaroi se partia e tij është “plotësisht e gatshme të japë konsensusin për një kandidaturë që duhet identifikuar përmes dialogut të të gjitha palëve”.

Zoti Rama tha se siguronte dhe një herë kryetarin e shumicës dhe aletatët e tij se “opozita në këtë proces ka vetëm një interes, atë kombëtar në vigjilje të provimit të 12 tetorit në Bruksel, Kemi vetëm një qëllim, konsensusin për një kandidaturë që të marrë mbështetjen e gjithë kuvendit të Shqipërisë, kemi vetëm, një kërkesë, dialogun konstruktiv, pa parakushte e as paragjykime mes palëve për të identifikuar një kandidaturë konsensuale” theksoi zoti Rama.

Pak më vonë ishte Partia Demokratike, e cila me anë të një deklarate sulmoi ashpër kryetarin socialist për refuzimin që ai i bëri kandidaturës së zotit Zaganjori, një veprim të cilin sipas tyre “zoti Rama e bëri me qëllimin e vetëm për të bllokuar procesin dhe nëpërmjet tij marrjen e statusit te vendit kandidat.

Partia Demokratike thekson më tej se “ndonëse e bindur në qëndrimet dhe politikën bllokuese të PS, ajo mbetet tërësisht e përkushtuar në bashkëpunim me aleatët dhe në përputhje me kushtetutën të bëjë gjithcka per t’i dhëne Shqipërisë një president të denjë siç e meriton me interes për qytetarët”, përfundon deklarata.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG