Lidhje

Burg për personat që trafikuan minat

  • Pëllumb Sulo

Gjykata e Shkodrës vendosi sot masën e sigurisë “arrest me burg” për tre personat që u arrestuan me 26 mars, në hyrje të qytetit të Shkodrës gjatë operacionit të koduar policor “Porosia”, ku u sekuestruan 6 mina të telekomanduara me celular nga distanca, një pushkë snajper, si dhe dy pistoleta.

Trupa e gjyqtarëve e vlerësoi si të drejtë arrestimin e Flamur Begës, Ilmi Isufajt dhe Shkelzen Metaliat, si dhe provat e sjella nga organi i akuzës kundër tyre. Për shkak të rëndësisë së informacioneve dhe sekretit të hetimeve, seanca gjyqesore për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj tre të akuzuarve, u mbajt me dyer të mbyllura.

Pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Shkodrës, çështja do t’i kalojë për gjykim të mëtejshmëm Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Operacioni “Porosia” u zhvillua pas një hetimi disa mujor nga Sektori i Hetimit të Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë së Shkodrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër. Policia përdori një agjent të saj si porositës të minave të telekomanduara dhe armëve, duke bërë të mundur arrestimin dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë së këtij grupi kriminal.

XS
SM
MD
LG