Lidhje

Tiranë: Protesta për ndalimin e ndërtimeve tek Liqeni


Qytetarë të Tiranës protestuan sot para kryeministrisë për ndalimin e disa pallateve shumëkatëshe, që po ndërtohen nën digën e liqenit artificial. Protestuesit pohuan se ato ndërtime nën digën e liqenit janë të rrezikshme dhe shkelin disa ligje njëherësh. Ata u bënë thirrje bashkisë dhe institucioneve të tjera shtetërore që të ndalojnë një nga dëmtimet më të rënda në mjedisin e kryeqytetit në zonën më të mbrojtur të tij.

Disa dhjetëra veprimtarë të shoqërisë civile dhe për mbrojtjen e mjedisit protestuan sot para selisë së qeverisë për shkatërrimin e parkut poshtë digës së liqenit artificial për të ndërtuar një grup kullash të larta banimi. Ata i bënë thirrje qeverisë që të ndalojë ndërtimin e atyre kullave shumëkatëshe, për të cilat është hapur një proces gjyqësor, sepse shkelin hapur disa ligje të shtetit shqiptar.

Protuestuesit pohuan se ai ndërtim shkel ligjet për digat dhe për mjedisin, si dhe i pakëson Tiranës hapësirat jetike. Sipas tyre, ndërtimet poshtë digave janë të ndaluara me ligj, sepse pallatet do të rrëzojnë digën dhe ujërat e liqenit do të përmbytin pallatet.

Protestuesit u bënë thirrje kryetarit të bashkisë, kryetarit të parlamentit, kryeministrit dhe presidentit të republikës që të ndalojnë punimet, që po ecin me shpejtësi për të bërë fakt të kryer shkatërrimin e natyrës në favor të pallateve, dhe duke dëmtuar në mënyrë të paprapsueshme një zonë të mbrojtur në natyrën e kryeqytetit.

Protestuesit pohuan se Inspektoriati duhet t'i kish ndalojë ato ndërtime para se të nisin, sepse më vonë do të jetë shumë më e vështirë dhe dëmet në mjedis bëhen të pakorrigjueshme. firmat vazhdojnë të ndërtojnë pallate në çdo pëllëmbë tokë të lirë, por kjo e ka bërë shumë shpejt Tiranën një qytet të ndotur dhe të vështirë për banim.

Ndotja e ajrit dhe ujërave të Tiranës është disa herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian. Ndotja dhe pakësimi i zonave të gjelbra, pohojnë studiuesit, po ulin me shpejtësi cilësinë e jetës në kryeqytetin shqiptar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG