Lidhje

Serbia sërish “zemërohet” me Edi Ramën


Arkiv: Nga vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd në nëntor të vitit 2014

Arkiv: Nga vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd në nëntor të vitit 2014

Beogradi reagoi me zemërim ndaj deklarateve të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për bashkimin kombëtar me mjetet e shekullit XXI

Autoritetet serbe reaguan me zemërim ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, citohet nga mjetet serbe të informimit të ketë thënë se “Kosova dhe Shqipëria, nuk do të bashkohen kurrë, në formën klasike. U lutem udhëheqësve shqiptarë që të ndalen së provokuari jo qëndrueshmërinë në rajon”, citohet të ketë thënë ai në një postim në rrjetin social Tëitter.

Edhe zyrtarë të tjerë serbë thanë se deklaratat e kryeministrit Rama “janë kërcënim për paqen dhe qëndrujeshmërinë në rajon dhe thirrje e rrezikshme për ripërcaktim kufijsh në Ballkan”.

Reagimet pasuan një intervistë të përbashkët të kryeministrit, Edi Rama me ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në televizionin “Klan Kosova”, pak kohë pasi që të dy u nderuan me titullin “Qytetar nderi i Ulqinit”.

Kryeministri Rama tha se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian”.

“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodh në funksion të Bashkimit Evropian si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë. Ndërkohë që një Evropë verbërisht taktike në vijim do të bënte që të triumfonte me patjetër dhe pa asnjë mundësi të dytë, linja e një bashkimi, përsëri në funksion të një Evrope të ardhshme, por në radhë të parë në funksion të një të sotmeje ku shqiptarët nuk do ta pranonin për një kohë të gjatë këtë historinë “tërhiq e mos e këput” të Evropës dhe të kësaj qasjes “tërhiq e mos e këput” me njëri tjetrin”, tha kryeministri Rama.

Në këtë intervistë ai ka tërhequr vërejtjen që “nëse Evropa e shikon Ballkanin dhe zhvillimin në Ballkan si gjëra pa lidhje me fatet e saj dhe nëqoftëse Evropa nuk arrin të kuptojë që proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon duhet t’ia bashkojë edhe vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mundet vërtetë të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorik”.

Kryeministri Rama ishte zyrtari i parë i lartë shqiptarë që kishte vizituar Serbinë pas një ngrirjeje 68 vjeçare gjatë së cilës nuk është shënuar asnjë takim i nivelit të tillë ndërmjet dy vendeve, në radhë të parë për shkak të Kosovës.

Vizita e tij në vjeshtën e vitit të kaluar në Beograd kaloi në shenjë të përplasjeve me mikpritësin e tij Aleksandër Vuçiç, i cili reagoi me zemërim për shkak të deklarimeve të kryeministrit Rama në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, të cilën Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

XS
SM
MD
LG