Lidhje

Beogradi, notë proteste ambasadorit shqiptar


Arkiv: Nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd

Arkiv: Nga vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd

Beogradi tha se ka protestuar ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkimin kombëtar me mjetet e shekullit XXI

Ministri i punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha të enjten se i ka dorëzuar një notë proteste ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, lidhur me deklarimet e kryeministrit Edi Rama për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.

Ministria e jashtme serbe njofton se në notën e protestës thuhet se “qëndrimet e kryetarit të qeverisë së Shqipërisë janë të papranueshme për Serbinë, se deklarata e tij është në vazhdën e disa deklarimeve provokative të përfaqësuesve të lartë politik të Shqipërisë, që dëmtojnë raportet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë dhe rrezikojnë marrëdhëniet në tërësi dhe qëndrueshmërinë në rajon”.

Në njoftim, ministri serb citohet të ketë thënë se se “bëhet fjalë për një thirrje të rrezikshme për ripërcaktimin e kufijve të njohur ndërkombëtarisht ndërmjet shteteve në rajon. Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë është në kundërshtim me orientimin e theksuar shumë herë të Serbisë dhe Shqipërisë për zhvillimin e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe ardhmërisë së përbashkët në Bashkimin Evropian”.

Beogradi i ka interpretuar deklarimet e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, si thirrje për “bashkim kombëtar klasik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”.

Reagimet serbe pasuan një intervistë të përbashkët të kryeministrit, Edi Rama me ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në televizionin “Klan Kosova”, pak kohë pasi që të dy u nderuan me titullin “Qytetar nderi i Ulqinit”.

Kryeministri Rama tha se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian”.

“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodh në funksion të Bashkimit Evropian si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë. Ndërkohë që një Evropë verbërisht taktike në vijim do të bënte që të triumfonte me patjetër dhe pa asnjë mundësi të dytë, linja e një bashkimi, përsëri në funksion të një Evrope të ardhshme, por në radhë të parë në funksion të një të sotmeje ku shqiptarët nuk do ta pranonin për një kohë të gjatë këtë historinë “tërhiq e mos e këput” të Evropës dhe të kësaj qasjes “tërhiq e mos e këput” me njëri tjetrin”, tha kryeministri Rama.

Burime zyrtare te Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, thanë se ambasadori shqiptar është thirrur ne Ministrinë e jashtme serbe, por nuk ka pasur ndonjë notë zyrtare. Ata thanë se “palët kane zhvilluar një bisedë normale pa tension apo shqetësim”.

Kryeministri Rama ishte zyrtari i parë i lartë shqiptar që kishte vizituar Serbinë pas një ngrirjeje 68 vjeçare gjatë së cilës nuk është shënuar asnjë takim i nivelit të tillë ndërmjet dy vendeve, në radhë të parë për shkak të Kosovës.

Vizita e tij në vjeshtën e vitit të kaluar në Beograd kaloi në shenjë të përplasjeve me mikpritësin e tij Aleksandër Vuçiç, i cili reagoi me zemërim për shkak të deklarimeve të kryeministrit Rama në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, të cilën Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

Të mërkurën ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se deklarata e kryeministrit Rama, është interpretuar gabimisht dhe se Kosova e Shqipëria “ në asnjë rast nuk flasin për ndryshimin e kufijve, por për zvogëlimin e dukshmërisë së tyre, sipas modelit evropian, në mënyrë që njerëzit të mund të lëvizin të lirë”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG