Lidhje

Gjykata e Tiranës, pafajësi për Armando Kasaj


Ai akuzohej se kishte fshirë nga serveri pamjet e protestës së 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë katër manifestues të opozitës

Në Shqipëri gjykata e Tiranës shpalli sot të pafajshëm përgjegjësin për Teknologjinë në Këshillin e ministrave, Armando Kasaj, i akuzuar se kishte fshirë nga serveri pamjet e protestës së dhunshme të 21 Janarit të vitit të kaluar ku mbetën të vrarë katër manifestues të opozitës.

Sipas gjykatës prokuroria nuk kishte paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e Kasajt. Ai vetë e kishte mohuar gjatë gjithë kohës të ketë ndërhyrë në serverin e kryeministrisë duke shpjeguar se ka bërë vetëm një kopje të njërës prej kamerave të cilën ja ka dorëzuar Gardës. Prokuroria kishte kërkuar dënimin me dy vjet burg për Kasajn për “shpërdorim detyre” dhe “veprime që pengojnë Drejtësinë”. Prokurorët thanë se do ta apelonin vendimin e sotëm.

Ndërkohë në gjykatën e Tiranës vazhdon paralelisht procesi edhe ndaj ish komandantit të Gardës Ndrea Prendi i akuzuar për vrasjen e një prej manifestuesve, ndaj ish shefit të Njësisë speciale Agim Llupo i akuzuar për vrasjen e dy manifestuesve të tjerë dhe ndaj shoferit të Prendit, i cili akuzohet për veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës.

Prokuroria nga ana e saj po vazhdon hetimin për organizatorët e protestës së dhunshme, për të cilën janë marrë nën hetim tre deputetë të partisë socialiste.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG