Lidhje

Fushata zgjedhore fillon pa transparencë financiare


Organizatat e shoqërisë civile po shprehin shqetësim për mungesën e transparencës së tyre mbi financimet

Fushata zgjedhore ligjërisht fillon sot në Shqipëri, ndonëse ajo është shtrirë prej disa javësh e muajsh në të gjithë vendin. Organizatat e shoqërisë civile po shprehin shqetësim për mungesën e transparencës së tyre mbi financimet. Qendra Open Data e Shqipërisë thotë se sipas Kodit Zgjedhor listat e dhuruesve dhe financimet e partive janë kurdoherë publike, por deri tani nuk është botuar asnjë listë e tillë nga partitë politike me emra dhe shumat përkatëse, as me deklarata dhe as online nga interneti.


Kjo transparencë është detyrim ligjor, qysh nga dita e parë e fushatës e në vazhdim dhe u nevojitet qytetarëve të shohin se kush financon partitë që ata do të votojnë, konfliktet e interesit të financuesve, apo fshehjen e burimeve të fushatave luksoze.

Instituti Shqiptar i Shkencave dhe Qendra Open Data sapo kanë përfudnuar një studim mbi zgjedhjet e fundit se 20 për qind e fondeve janë siguruar nga buxheti i shtetit, ku pjesën më të madhe e kanë marrë PD me PS 20 për qind nga donacionet dhe rreth 60 për qind nga pagesat e antarësisë. Kontrolluesit e financave të fushatës raportuan mjaft probleme me transparencën; disa parti edne nuk kanë deklaruar shumat e harxhuara, origjinën e tyre dhe nuk paraqesin tabela bankare, por thonë se kanë vepruar me para të thata në dorë, ose ndryshe para kesh.

Në 2011 kishte 55 parti në garë, ndërsa tan janë 66 parti. Por studimi nxorri se një grusht partish parlamentare përfitojnë 98 për qind të fondeve, ndërsa gjithë partitë e tjera përfitojnë veëm 1 për qind. Në fushatën e 2011 partitë kanë shpenzuar më shumë para se sa kanë mbledhur. Rreth 7 - 20 për qind e fondeve janë ende borxhe të prapambetura nga fushata e kaluar. Pra, partitë kanë hyrë në një fushatë të re, kur ende janë me borxhe nga fushata zgjedhore 2011 dhe nuk kanë shlyer detyrimet që u kanë kompanive të ndryshme që u bënë fushatat dy vjet më parë. Studimi i detajuar nxorri probleme edhe me dhurimet e fondeve, edhe me pasuritë e padeklaruara të vetë partive, që ka pak gjasa të krijohen me pagesat 2 dollarëshe të antarëve të thjeshtë.

Koalicioni i vëzhguesve vendorë shprehu shqetësim po ashtu për mungesën e transparencës mbi shpenzimet e fushatës dhe dhurimet e parave. Përfaqësues të këtij organizimi vendas të pavarur dhe me përvojë në vëzhgimin e zgjedhjeve shqiptare pohojnë se KQZ duhet të zbatojë ligjin, duke nxjerrë udhëzimet përkatëse dhe duke ushtruar kontrolle mbi financat e partive gjatë fushatës.

Koalicioni e konsideron transparencën e financimit të subjekteve elektorale si një element kyç për një proces zgjedhor ligjor, transparent dhe të barabartë. Ndonëse me ligj kontrolluesit e financave partiake janë të plotfuqishëm, nga zgjedhjet e mëparshme ata raportojnë një seri shkeljesh dhe pohojnë se e kanë të pamundur të komunikojnë me partinë politike për çështje financiare, se ato nuk kanë numër NIPT-i për veprimtari biznesi, dhe këto shkruhen në disa tabela të pashoqëruara me fatura, apo ndonjëherë partitë deklarojnë thjesht se shpenzimet ishin zero gjatë fushatës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG