Lidhje

OSBE, raport kritik mbi zhvillimet në Shqipëri


Situata politike shënon përparim pas rikthimit të PS në parlament. Përparimi i shtetit të së drejtës relativisht i pakët

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth, paraqiti sot në Vienë përpara asamblesë së organizates, një raport kritik mbi zhvillimet në Shqipëri në 12 muajt e fundit. Ndërsa vlerësoi marrëveshjen mes shumicës dhe opozitës fundvitin e kaluar, e cila përmirësoi klimën politike dhe i hapi rrugë realizimit të disa reformave të rëndësishme, Ambasadori ngre pikëpyetjen nëse ky ritëm do të mund të mbahet në 2013, vit kur do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, të cilat sipas tij pritet të jenë tejet konkurruese. Ambasadori i OSBE-së shprehet në raport për përparim të pakët në fushën e shtetit të së drejtës, për korrupsion të përhapur në administratë dhe kulturën e pandëshkueshmërisë, e cila pasqyrohet në mungesën e ndëshkimit të zyrtarëve të lartë, sipas tij.
Sipas ambasadorit të OSBE-së Eugen Wollfarth, zhvillimet e 12 muajve të fundit në Shqipëri kanë qënë me zigzagem, reformat kanë shënuar edhe përparime edhe ngecjee. “Gjatë gjithë vitit, konflikte të herëpashershme politike çuan në zbehjen e madje edhe në ngecjen e reformave në një sërë sektorësh. Megjithatë, dëshira e fortë kombëtare për integrim të vazhdueshëm evropian shërbeu sërish si një katalizator për zhvillim dhe ndihmoi në zbutjen e interesave partiake”, nënvizon Ambasadori në raportin e paraqitur në Vjenë.

Ai ka vlerësuar realizimin e disa reformave falë marrëveshjes së arritur mes shumicës dhe opozitës nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa shton se “në perspektivë, çështja kryesore është nëse të dyja palët do të arrijnë të ruajnë impulsin për reforma në vitin 2013, vit ky që, për nga forma që po marrin zhvillimet, duket se do të jetë një vit zgjedhjesh parlamentare tejet konkurruese”.

Duke folur për reformën zgjedhore ai thekson se tani e rëndësishme është zbatimi i Kodit të ri. “Përgjegjësia për përgatitjen dhe mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve mbetet më së shumti në duart e drejtuesve kryesorë partiakë. Ata kanë mundësi thuajse të pakufizuara për të zhvilluar zgjedhje që përmbushin plotësisht standardet ndërkombëtare; po ashtu, kanë kapacitetin për ta shkatërruar procesin në themel dhe për të zhbërë arritjet pozitive të procesit të reformës, shkruan Ambasadori Wollfarth.

Raporti është tejet kritik për gjendjen e shtetit të së drejtës, situatën në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit. “Përparimi në fushën e shtetit të së drejtës ka qenë relativisht i pakët. Shpesh, kanë qenë vetëm paralajmërimet dhe presioni nga aktorët ndërkombëtare dhe jo veprimet e institucioneve kombëtare, ato që kanë parandaluar bërjen e hapave prapa në këtë sektor” shkruan Ambasadori Wollfarth ndërsa thekson se “dobësia e vazhdueshme e institucioneve shtetërore, siç është dëshmuar nga hezitimi i tyre për të vepruar në përputhje me ligjin, paraqet një kërcënim serioz për arritjet e brishta në fushën e shtetit të së drejtës”.

Duke folur për sistemin gjyqësor ai vlerëson se “në përgjithësi, perceptimi i publikut – duke përfshirë atë të investitorëve dhe bizneseve të huaja të mundshme – për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjykatave mbetet i ulët”. Sipas tij “çfarëdo përmirësimi thelbësor do të varet, kryesisht, nga vullneti politik për të ndërmarrë një reformë gjithëpërfshirëse, me synim arritjen e rezultateve në fushat kyçe të pavarësisë së gjyqësorit, veçanërisht përsa sa i përket emërimit dhe vlerësimit të gjyqtarëve”.

Përsa i përket luftës ndaj korrupsionit, raporti vëren se si “ndërkohë që korrupsioni në nivele më të ulëta ndonjëherë ndiqet penalisht dhe ndëshkohet ligjërisht, në nivele më të larta, korrupsioni rrallë ndiqet penalisht apo ndëshkohet, duke bërë që zyrtarë të lartë publikë dhe biznesmenë të rëndësishëm të gëzojnë imunitet thuajse të plotë”, shprehet Ambasadori duke shpjeguar se “kjo kulturë pandëshkueshmërie mund të shpjegojë përse sistemi i drejtësisë ka një reputacion publik kaq të keq”. Sipas tij “akuzat e korrupsionit ndaj ministrave në detyrë, të cilët kanë në dorë kontrata investimesh të rëndësishme, si dhe mosbesimi në procesin e numërimit të votave kanë përforcuar kulturën e pandëshkueshmërisë”.

Ambasadori sjell rastin e ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për procesin mbi shpërthimin në Gërdec. “Ministrit nuk iu desh të paraqitej në gjyq në lidhje me përgjegjësitë që ai supozohej të kishte për këtë shpërthim, pasi as prokuroria nuk kërkoi një riheqje të imunitetit të tij pas rizgjedhjes së tij në Kuvend dhe as Gjykata e Lartë nuk i pranoi paditë penale të ngritura nga familjarët e viktimave”, shkruan ambasadori. Ndërsa për rastin e ish zëvendëskryeministrit Meta, i shpallur i pafajshëm për akuzat për korrupsion lidhur me videon e bisedës së tij me ministrin e atëhershëm të Ekonomisë Dritan Prifti, në raport vlerësohet se “Gjykata u shpreh pas dhënies së atyre çka nga shumë vëzhgues u konsideruan si vendime të ndërmjetme të debatueshme, disa prej të cilave vështirë se mund të vihen në përputhje me ligjin, si për shembull përjashtimi nga Gjykata i regjistrimeve me zë dhe figurë dhe zbardhjes së tyre si dëshmi, caktimi i ekspertëve shqiptarë në vend të ekspertëve të huaj, apo rrëzimi i urdhrit për mbledhje provash”, shprehet Ambasadori.

Ndërsa flet për Planin e Veprimit për luftën kundër korrupsionit të miratuar nga qeveria, Ambasadori Wollfarth saktëson se “mbeten akoma shqetësime në lidhje me kapacitetet administrative për të siguruar zbatimin dhe monitorimin e plotë të Planit të Veprimit”. Ai shton se “agjencitë shtetërore përkatëse, në përgjithësi, mbeten të cenueshme nga presioni e ndërhyrja politike dhe vuajnë nga mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore”. Edhe sa i përket reformës në administratën publike në raport theksohet se “është vënë re një nivel i kufizuar progresi. Administrata publike ende vuan nga mungesa e profesionalizmit, si dhe nga korrupsioni gjerësisht i përhapur dhe i shoqëruar me klientelizëm”. Në raportin e tij Ambasadori i OSBE-së vlerëson se “një bilanc bindës vendimesh dhe dënimesh ose gjobash të forta dhe të përshtatshme, në rastet e korrupsionit që përfshijnë zyrtarë të lartë, do të ishte një masë pozitive për të kthyer besimin e publikut dhe për të demonstruar vendosmëri politike”.

XS
SM
MD
LG