Lidhje

Bora shkakton probleme në Jug dhe Juglindje të Shqipërisë


Bora shkakton probleme në Jug dhe Juglindje të Shqipërisë
Bora shkakton probleme në Jug dhe Juglindje të Shqipërisë

Reshjet e mëdha të dëborës kanë sjellë probleme në zonat në Jug dhe Juglindje të Shqipërisë. Krahas bllokimit të disa zonave malore është ndërprerë për disa orë qarkullimi edhe në disa segmente të rrugëve kombëtare. Reshjet kanë krijuar probleme veçanërisht për lëvizjen e mjeteve dhe furnizimin e banorëve në zonat malore.

Edhe lëvizja e shqiptarvë drejt Greqise, një ditë pas liberalizimit të vizave, ka gjetur veshtirësi për shkak se zonat ne Veri te Greqisë janë përfshirë nga dëbora. Autoritetet greke madje janë detyruar të marrin masa të emergjencës ne disa qytete përfshirë edhe qytetin fqinj të Janinës duke mbyllur shkollat dhe punuar për hapjen e rrugëve nacionale.

Drejtoria e policisë së Gjirokastrës dhe Drejtoria Rajonale e Rrugëve kanë normalizuar lëvizjen në segmentin rrugor që lidh Gjirokastrën me Sarandën , i cili u bllokua në orët e para të mëngjesit prej reshjeve të mëdha të dëborës, në Qafën e Muzinës. Kjo zonë disa qindra metër mbi nivelin e detit njihet për reshjet e medha.

Po kështu, edhe në zonën juglindore të vendit, disa segmente rrugore u njoftuan nga autorietet si te pakalueshme gjatë paradites, por më pas jane zhbllokuar. Nderkaq, njësitë vendore njoftojnë se disa zona malore në Gjirokastër dhe ne Tepelene e Permet, tashme i kanë rrugët të bllokuara. Reshjet kanë sjellë dhe probleme të furnizimit me energji elektrike për banorët, ku në disa qytete ka pasur ndërprerje.

Pranë prefekturave jane ngritur shtabet e emergjencave, te cilat pritet të trajtojnë gjatë këtyre ditëve problematikat e pasojave te motit, veçanërisht në zonat malore, si dhe mbajtjen e segmenteve rrugore te hapura. Moti i keq pritet të ndikojë edhe në rënien e kthimit të disa mijëra emigrantëve shqiptarë nga Greqia për festat e fundvitit.

XS
SM
MD
LG