Lidhje

SHBA - Shqipëri: 24 vjet nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike


SH.B.A. dhe Shqipëria festuan sot 24 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike pas afro gjysmë shekulli diktaturë komuniste. Përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe atij amerikan pohuan në këtë përvjetor marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe bashkëpunimin mes tyre në përballimin e sfidave aktuale.

25 vjet marrëdhënie SHBA-Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:51 0:00

Qendra Shqiptare e Politikave organizoi konferencën “24 vjet partner strategjik”, ku morën pjesë presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ambasadori i SH.B.A.-ve, Donald Lu, bashkë me zyrtarë dhe politikanë të shumtë. Zoti Nishani tha se SHBA kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e ndërtimit të shtetit shqiptar, ndërsa midis dy popujve ekzistojnë ndjenja miqësore të forta e të sinqerta, po aq sa edhe të hershme.

Zoti Nishani kujtoi vizitat e qeveritarëve të lartë amerikanë nga sekretari Bejker në vitin 1991 dhe më vonë sekretari Pouell, sekretarja Ollbrajt dhe sekretarja Klinton, duke veçuar si pikë kulmore vizitën e presidentit Xhorxh Bush. Ai tha se rivendosja e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane e ktheu përsëri Shqipëri tek vlerat demokracisë perëndimore.

Ish-sekretari i shtetit Xhejms Bejker e përshëndeti konferencën me një mesazh nga SHBA, duke kujtuar tubimet mbresëlënëse të shqiptarëve gjatë vizitës së tij. Ndërsa të gjithë thirrnin USA USA dhe Bushi – Bushi, zoti Bejker tha në sheshin Skënderbej shprehjen e njohur se Liria Punon për Shqiptarët. Nga ana tjetër, ambasadori i ri i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, tha në gjuhën shqipe se aktualisht Shqipëria po përballet me disa sfida jo të lehta për të përmirësuar jetën e tyre, si korrupsioni.

Ambasadori Lu tha se SHBA besojnë tek Shqipëria, jo vetëm tek një parti politike, dhe as vetëm tek një udhëheqës i vetëm politik, por besojnë në aftësinë e shqiptarëve guximtarë për të mbështetur ndryshimin, që bëjnë sakrifica për veten dhe për familjen e tyre.

Marrëdhëniet diplomatike midis SHBA dhe Shqipërisë u vendosën për herë të parë në vitin 1922, pak kohë pas Kongresit të Lushnjes. Atëkohë presidenti amerikan Udrou Uillson deklaroi se popujt e vegjël kanë njëlloj të drejtën për vetvendosje. Legata amerikane në Shqipëri për herë të parë u mbyll nga regjimi fashist më 1939 dhe herën e dytë nga regjimi komunist më 1945. Aktualisht të dy vendet kanë marrëdhënie të ngushta diplomatike, ekonomike, dhe ushtarake si anëtare të Aleancës Veri-Atlantike.

XS
SM
MD
LG