Lidhje

Kujtimet e Toni Blerit rizgjojnë debatin për Irakun

  • Jennifer Glasse

Libri me kujtime i ish-kryeministri britanik Toni Bler, po shitet mirë por nuk i ka zbutur debatet për vendimin e tij për të marrë pjesë në luftën e Irakut. Siç njofton Xhenifer Glase nga Londra, ende ka pikëpamje kundërthënëse për trashëgiminë e zotit Bler.

Turneu i zotit Bler për promovimin e librit nuk po shkon sipas planeve. Në Dublin, protestuesit e goditën me vezë dhe me këpucë, të zemëruar që zoti Bler e çoi vendin në luftë në Irak dhe që edhe shtatë vjet më pas nuk ka kërkuar falje.

“S’ka si të mos ndjehesh keq për njerëzit që kanë vdekur. Do të ishte çnjerëzore. Por kur më pyesin nëse jam penduar për vendimin më duhet të them se marr përgjegjësi për veprimin por nuk jam penduar”.

Kërcënimet për më shumë protesta e detyruan zotin Bler të anullonte një aktivitet për nënshkrimin e kopjeve të librit. Në ditën që ishte parashikuar aktiviteti, protestuesi Xhon Hosem tha se ish-kryeministri nuk ka shumë përkrahës në Londër.

“Ai është përgjegjës për vdekjen e shumë njerëzve me gënjeshtrat e tij”.

Seldon ka shkruar dy libra për zotin Bler. Ai thotë se ish-udhëheqësi britanik nuk do të befasohet nga zemërimi i publikut për Irakun.

“Mendoj se do të zhgënjehet sepse besoj se shpresonte që libri do t’i jepte fund zemërimit që është shkaktuar nga lufta në Irak, por nuk besoj se do të befasohet”.

Zoti Bler do t’ia dhurojë të gjitha të ardhurat nga shitja e librit një organizate bamirëse ushtarake, përfshirë disa miliona dollarë paradhënie. Kujtimet e tij janë në krye të listës së librave më të shitur në Britani, pavarësisht nga debati për Irakun. Gary McCarthy është një prej atyre që e kanë blerë.

“Ai luajti një rol të rëndësishëm në procesin e paqes së Irlandës së Veriut. Mësova për librin në televizor dhe mendova që ia vlente të lexohej”.

Zoti Bler drejtoi qeverinë në Britani për një dekadë, jo vetëm gjatë kohës së luftës në Irak, por edhe kur vdiq Princeshë Diana dhe u arrit paqja në Irlandën Veriore. Ai është tani i dërguar për Lindjen e Mesme.

“Në Britani nuk kemi pasur kurrë një kryeministër që ikën nga detyra dhe do që të ketë një rol kaq të gjerë”.

Seldon thotë se zoti Bler kishte një komunikim shumë të mirë me njerëzit e zakonshëm. Por kritikët e tij e kishin tallur si “këlyshi i Presidentit Bush” dhe tani ai konsiderohet më popullor jashtë Britanisë sesa brenda saj. Major gjenerali në pension Tim Kros, që ishte përfaqësuesi i lartë i Britanisë në Irak, pas ndërhyrjes atje, mendon se zoti Bler veproi drejt me Irakun.

“Mendoj se tani për tani ai po vuan nga kritikat, por sipas mendimit tim pas 15, 20, 25 vjetësh historia do ta trajtojë siç duhet”.

Kjo do të varet nga fakti nëse Iraku stabilizohet. Ndërsa ai vend ende ka probleme, shtatë vjet pas ndërhyrjes, disa analistë janë të shqetësuar që zoti Bler po flet me agresivitet për Iranin.

“A duhen lejuar këta njerëz që të kenë në dorë armë bërthamore? Përgjigjia ime është ‘jo’. Po të kishe atë detyrë duhet të përballeshe edhe me këtë vendim”.

Disa e shohin si kriminel lufte, disa si një udhëheqës të madh britanik. Kujtimet e Toni Blerit nuk kanë arritur ta zgjidhin trashëgiminë e tij komplekse.

XS
SM
MD
LG