Lidhje

Britani: Protestojnë viktimat e abuzimeve të kishës


Britani: Protestojnë viktimat e abuzimeve të kishës
Britani: Protestojnë viktimat e abuzimeve të kishës

Ndërkohë që Papa Benedikti filloi sot vizitën në Britani, skandali i abuzimeve seksuale me fëmijët nga famulltarë të kishës katolike në vende të ndryshme ka hedhur hije mbi këtë vizitë. Viktimat e abuzimeve kanë shkuar në Britani për të bindur Papën dhe Vatikanin që të bëjnë më shumë në luftën kundër kësaj dukurie në Kishën Katolike.

Këto gra duan të sigurohen se ajo që u ka ndodhur atyre nuk t’i ndodhë dikujt tjetër.

“Jam dhunuar që në moshën 8 vjeçare nga një prift katolik në Çikago,”

thotë Therese Albrecht. Ajo dhe zonja Barbara Blaine kanë ardhur në Birtani për vizitën e Papës. Ato kërkojnë më shumë transparencë rreth abuzimeve.

“Ne kërkojmë që Papa dhe Vatikani të krijojnë një sistem botëror të dhënash me emrat e gjithë priftërinjve të akuzuar për abuzime.”

Britaniku Peter Saunders thotë se ai u abuzua disa kilometra nga kjo lagje në periferi të Londrës ku do të qëndojë Papa. Zoti Saunders thotë se zyrtarët e kishës kanë refuzuar të takohen me të sepse ai ka ngritur zërin për abuzimet.

“Ata nuk duan që të rriturit që kanë mbijetuar dhunimin të flasin sepse kjo nxjerr në dritë botën e tyre të errët abuzive.”

Këtë vit, Papa Benedikti ka patur takime private me viktimat e abuzimeve në Maltë, në kohën kur u publikuan histori tjera abuzimesh në mbarë botën dhe pohime se Vatikani i ka fshehur ato.

Këtë muaj, Kisha Katolike e Belgjikës ka pranuar se qindra fëmijë janë abuzuar nga priftërinjtë mes viteve 1950 dhe 1980, në pothuaj çdo dioqezë dhe shkollë katolike të vendit.

Në Britani, zyrtarët e kishës thonë se tani ata kanë procedura të fuqishme për të shqyrtuar këtë problem. Rreth 150 pohime për abuzim janë hetuar në tre vitet e fundit dhe të paktën dy priftërinj janë arrestuar. Bill Kilgallon kryeson komisionin që heton pretendimet kundër klerikëve.

“Ne mbështesim fuqishëm pikëpamjen se autoritetet duhet të angazhohen në shqyrtimin e rasteve nga fillimi në mënyrë që të mos ketë mundësi për fshehje veprimesh.”

Gjatë vizitës në Britani, Papa Benedikti pritet të takohet me disa viktimat e abuzimeve por jo me grupin kryesor të protestuesve. Para Katedrales ku Papa do të marrë pjesë në meshë, ata inkurajojnë të tjerët të bëjnë publike të dhëna që mund të nxjerrin në dritë skandalet të cilat po kërcënojnë kishën më të madhe krishtere në botë.

XS
SM
MD
LG