Lidhje

Amnesty International: Britania, hapa pas në fushën e të drejtave të njeriut


Organizata Amnesty i tha qeverisë se duhet të heqë dorë nga një numër masash kundër terrorizmit nëse dëshiron të mbrojë të drejtat civile në Britani.

Organizata e vuri theksin tek katër masa për të cilat thotë se kanë minuar rëndë të drejtat e njeriut: autoriteti policor për të ndaluar dhe kontrolluar njerëz pa pasur ndonjë dyshim; e drejta e shtetit për të ndaluar terroristë të dyshuar për 28 ditë pa ngritur akuzat; ekstradimin e shtetasve të huaj pavarësisht nga rreziku i torturës; dhe urdhërat për kontrolle kufizuese.

Tara Lajl është këshilltare e politikave në qendrën e organizatës në Londër.

“Të gjitha këto masa janë vendosur gjatë 10 vjetëve të fundit, kryesisht që nga sulmet e 2001-shit në Shtetet e Bashkuara dhe bombat e Londrës në 2005-ën. Shumë prej tyre ishin reagime të ngutura menjëherë pas një kërcënimi apo sulmi terrorist.”

Masat u miratuan gjatë qeverisë britanike të Partisë Laburiste. Që në maj, vendi është udhëhequr nga një qeveri e re koalicioni e Konservatorëve dhe Liberal Demokratëve.

Koalicioni i ri i kërkoi organizatës Amnesty të rishikonte legjislacionin britanik të sigurisë. Zonja Lajl thotë se është optimiste se qeveria do ta konsiderojë këshillën e organizatës.

Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Bristolit, Mark Uikam Xhons thotë se kërcënimet terroriste kanë sjellë shumë ndryshime në Britani gjatë 10 bjetëve të fundit. Ai thotë se këto ndryshime janë ndjerë kryesisht nga njerëzit më të mënjanuar të shoqërisë.

“Liria ekziston tani në një mënyrë më pak transparente, më pak të dukshme, më pak të sigurt seç ishte para një dekade. Kjo do të jetë gjithmonë temë debati kur bëhet fjalë për çështje sigurie. Pyetja është nëse qeveria zgjodhi rrugën e duhur.”

Kur Partia Labursite ishte në qeveri, ai thotë se, dy partitë që tani formojnë koalicionin, kanë shprehur shpesh kundërshtime ndaj masave anti-terroriste. Por ai shton se, tani që ky koalicion është në pushtet, dëshira për t’i hequr këto masa nuk duket edhe aq e madhe.

“Kur hyn në qeveri, gjërat duket sikur janë ndryshe dhe tani është krijuar një farë inercie institucionale dhe shërbimi civil në Mbretërinë e Bashkuar. Prandaj, nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim thelbësor mbi çështjet që ngre organizata Amnesty.”

Legjislacioni i debatueshëm është miratuar gjatë kohës së kryeministrit Toni Bler.

XS
SM
MD
LG