Lidhje

Analistë të njohur amerikanë komentojnë për turneun e Sekretares Klinton në Ballkan

  • Keida Kostreci

Analistë të njohur amerikanë komentojnë për turneun e Sekretares Klinton në Ballkan

Analistë të njohur amerikanë komentojnë për turneun e Sekretares Klinton në Ballkan

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Klinton fillon sot një turne në Ballkan, për herë të parë që kur mori detyrën. Sekretarja Klinton do të konfirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për aspiratat e rajonit për integrim euro-atlantik. Ajo do të inkurajojë Beogradin dhe Prishtinën që të gjejnë një zgjidhje për marrëdhëniet e tyre të vështira. Në vizitat që do të bëjë në Bosnje, Serbi dhe Kosovë, zonja Klinton do të takohet me udhëheqës të vendeve, por edhe me grupe të shoqërisë civile.

Vizita bëhet në një kohë kur Kosova dhe Serbia pritet të mbajnë bisedime për të zbutur problemet që Sekretarja Klinton thotë se janë të vështira për t’u zgjidhur.
“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë dhe të ndërmjetësojnë, të mbështesin dhe të vlerësojnë që palët të arrijnë marrëveshje me njera tjetrën. Por në fund të fundit, u përket udhëheqësve dhe popujve të vendosin për të ardhmen e tyre”.

Kurt Volker, një ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO është Drejtor Menaxhues i Qendrës për Marrëdhëniet Transatlantike të Fakultetit për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetin Xhons Hopkins. Ai thotë se fakti që Sekretarja Klinton do të shkojë në rajon është një sinjal i rëndësishëm.
“Ajo që shpresoj që të shohim është një angazhim nga ana e Shteteve të Bashkuara, nga Evropa, si edhe nga udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë për të punuar për zgjidhje afatgjata, për të punuar për përmirësimin e gjendjes ekonomike, në mënyrë që jetesa e njerëzve të përmirësohet, për të punuar drejt integrimit evropian, për të zgjidhur probleme praktike”.
Ambasadori Volker thotë se shpreson që vizita e Sekretares Klinton do t’i rigjallërojë përpjekjet për integruar të gjitha vendet e rajonit.

Ambasadori Frank Wisner, përfaqësuesi amerikan i Troikës ndërkombëtare që ndërmjetësoi bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës para pavarësisë, thotë se zonja Klinton do të përballet me dy çështje lidhur me Kosovën.
"E para është që të sigurohet që pala kosovare të jetë e bashkërenduar. Me dorëheqjen e Presidentit Sejdiu dhe me perspektivën e zgjedhjeve në fillim të vitit të ardhshëm, ka një farë çorientimi në hapësirën politike të Kosovës”.

Ai thotë se është shumë e rëndësishme që klasa politike të bashkëpunojë për një program të bashkërenduar për bisedimet me Serbinë.
“Çështja e dytë me rëndësi kritike është që Sekratarja të përqendrohet tek vazhdimësia e përpjekjeve për njohjen e Kosovës. 70 vende e kanë njohur Kosovën, por më shumë duhet ta bëjnë një gjë të tillë që në sytë e botës të konsolidohet legjitimiteti. Sekretarja duhet të flasë me udhëheqësit e vendit për strategjinë dhe angazhimin drejt këtij synimi”.

“Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë nuk shkeli ligjin ndërkombëtar, i hap një shteg vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, që të kenë një bazë mbi të cilën ta bëjnë një gjë tillë. Kjo do të ndihmojë me integrimin e Kosovës në Evropë”, thotë ambasadori Volker.

Pas opinionit të Gjykatës, Serbia tha se do ta çonte çështjen në Kombet e Bashkuara. Por në një marrëveshje të minutës së fundit, me nxitjen e BE-së, Beogradi ra dakord të hiqte dorë nga sfida ndaj pavarësisë, duke i hapur rrugën një rezolute ku bëhej thirrje për dialog mes palëve. Departamenti i Shtetit thotë se bisedimet do të jenë vetëm për çështje praktike dhe mes të barabartëve dhe se Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol aktiv.

Ambasadori Volker thotë se qeveria serbe ka qenë shumë konstruktive në vitet e fundit dhe mendon se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të vazhdojnë të angazhojnë Serbinë si në marrëdhënie dypalëshe ashtu edhe përmes përmes Partneritetit për Paqe të NATO-s, apo shpresave për integrimin në BE.

Ambasadori Wisner e pranon se Serbia mund të mos ta njohë Kosovën për një kohë të gjatë, por thotë se Prishtina dhe Beogradi duhet ta akomodojnë njëri-tjetrin për çështje të interesit të përbashkët.

Steven Majer, profesor i Studimeve për Sigurinë Kombëtare dhe Shkenca Politike në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Uashington, thotë se zonja Klinton mund të ofrojë hapjen e zyrave diplomatike amerikane dhe zyrtarë amerikanë për bisedimet.
“Por nuk jam optimist se bisedimet do të lëvizin me shpejtësi, apo nëse do të lëvizin drejt objektivit që duan të shohin Shtetet e Bashkuara”.

Sekretarja Klinton mbërrin sot në mbrëmje në Bosnje, ku zgjedhjet e 3 tetorit duket se e kanë kanë lënë presidencën kolektive të bllokuar mbi të ardhmen e vendit. Më pas ajo shkon në Serbi dhe në fund në Kosovë, ku do të bëjë një vizitë edhe në Graçanicë.

XS
SM
MD
LG