Lidhje

Rreziqet ndaj objekteve bërthamore nga krimi kibernetik


Rreziqet ndaj objekteve bërthamore nga krimi kibernetik
Rreziqet ndaj objekteve bërthamore nga krimi kibernetik

Një virus i fuqishëm kompjuterik i quajtur “krimbi Stuxnet” duket se ka goditur uzinën bërthamore të Iranit Bushehr dhe ka infektuar sistemet kompjuterike në Azi, Evropë dhe SHBA. Korrespondenti i Zërit të Amerikës William Ide njofton se aftësia e këtij programi infektues po ngre pikëpyetje lidhur me rreziqet që i kanosen objekteve bërthamore, elektrike dhe industriale.

Ndërsa zyrtarët iranianë thonë se sistemet e infektuara në uzinën bërthamore të Busherit janë të sigurta, ata që punojnë në sigurinë kibernetike nuk janë aq të qetë dhe theksojnë se sulmi i hap dyert një numri kërcënimesh që deri tani kanë ekzistuar në teori.

Sami Sajdari, president dhe themelues i Agjencisë së Mbrojtjes Kibernetike thotë se krijimi i këtij programi të rrezikshëm infektues tregon se njerëzit tani duan dhe kanë aftësinë të sulmojnë sistemet industriale.

Sulmet ndaj sistemeve të kontrollit në industri dhe vënia e këtyre sistemeve dhe e jetës së njerëzve në rrezik, është sfidë e madhe.

Studjuesit thonë se Stakxnet është projektuar me synimin për të vënë në objektiv sisteme si ata që përdoren në uzinën e Busherit në Iran. Në veçanti, ata thonë se ky program ka në objektiv sisteme kontrolli drejtuese, ose sisteme SCADA, të projektuara nga kompania gjermane Simens.

Studjuesit thonë se pasi gjen rrugën për në sistemet e uzinës, virusi mund të marrë të dhënat, mund t’i çorjentojë sistemet dhe të çojë deri në mosfunksionimin e tyre.

Sami Sajdari thotë se shqetësim përbën rreziku me të cilin ndeshen uzinat, por thekson se kërcënimi nuk kufizohet vetëm tek uzinat bërthamore dhe ato elektrike.

Deri tani, virusi duket se e ka patur suksesin më të madh në Iran; kompania kompjuterike kundër viruseve Symantel thotë se janë infektuar më tepër se 60 mijë kompjutera.

Kjo dhe fakti që sulmi ishte tepër i sofistikuar, ka bërë që disa të besojnë se sulmin mund të ketë kryer vetëm një shtet. SHBA dhe Izraeli janë përmendur si vendet që kanë kapacitetin dhe motivin politik për të kryer një sulm të tillë. Por disa analistë të sigurisë kibernetike dhe të teknologjisë thonë se është ende herët të gjykosh për këtë.

Randy Abrams, i kompanisë së sigurisë në Internet, ESET, që ka bërë kërkime për virusin Stuxnet, thotë se ndërsa natyra e sofistikuar e sulmit le të kuptohet se në këtë sulm mund të jetë përfshirë një shtet, nuk është e thënë që ky të jetë një rast i tillë.

Një shkak mund të ketë qenë dikush që i njeh mirë sistemet SCADA dhe që ka aftësi të mëdha teknike, ndoshta duke punuar në grup me disa njerëz, të cilët donin të tërhiqnin vëmendjen ndaj faktit se këto sisteme SCADA nuk mbrohen mirë dhe janë në rrezik të sulmohen.

Adam Segal i Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë thotë se sulmi ngre pikëpyetje të tjera dhe thekson se është e vështirë të gjesh se cili mund të ketë qenë objektivi.

Tani mendimi ynë i përbashkët është se sulmi ishte përqëndruar tek sistemet industriale të Iranit, por pas disa javësh ne mund të mësojmë se ato në fakt drejtoheshin edhe ndaj sistemeve industriale të Indisë, Pakistanit, apo Indonezisë, ku mendohet se është përhapur virusi. Në këto momente, ne thjesht jemi duke hamendësuar dhe nuk dimë gjë me saktësi.

Se si ka mundur të depërtojë virusi tek sistemet që përdoren në uzinën bërthamore të Iranit, mbetet një pikëpyetje e madhe. Shumica e sistemeve industriale të kontrollit nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me Internetin. Analistë të sigurisë kibernetike dhe studjues thonë se ka shumë mundësi që virusi që ka depërtuar në sistemet SCADA në uzinën bërthamore të Iranit ka ardhur nga një disk i jashtëm, apo thumbdrive që është futur në kompjuter.

Shumica janë të mendimit se kapaciteti i virusit Stuxnet përbën kërcënim serioz për operuesit e sistemeve industriale të kontrollit dhe se operatorët, si edhe qeveritë në mbarë botën duhet të bëjnë më tepër për forcimin e sigurisë.

Stdjuesi Sami Sajadri thotë se publiku po fillon të shohë atë që pa bota disa dekada më parë, kur vendet e ndryshme ishin në garë për të kontrolluar hapësirën, në fund të viteve ’50, pas dërgimit në orbitë të anijes Sputnik.

XS
SM
MD
LG