Lidhje

Publiku shqiptar rrit mbështetjen për antarësimin në Bashkimin Evropian


Publiku shqiptar rrit mbështetjen për antarësimin në Bashkimin Evropian

Publiku shqiptar rrit mbështetjen për antarësimin në Bashkimin Evropian

Instituti për Studime Ndërkombëtare publikoi sot një studim mbi perceptimet e qytetarëve shqiptarë për të ardhmen e integrimit të vendit në Bashkimin Europian, dhe shpresat që ata mbajnë nga ky antarësim. Studimi zbuloi se mbi 94 për qind e qytetarëve mbështesin dhe mirëpresin antarësimin e vendit në Bashkimin Europian, kundrejt 88 për qind që ishte një vit më parë. Nga anketimi i shumë qytetarëve në të gjithë territorin, grupmosha dhe profesione të larmishme, doli se mbi 50 për qind e popullatës janë të informuar sa duhet mbi procesin e integrimit të shqipërisë në BE, dhe po aq, rreth gjysma, pohojnë se vendi nuk është ende gati për një antarësim të plotë në BE.

Drejtuesi i Institutit për Studime Ndërkombëtare, Albert Rakipi, thotë se një pjesë e madhe e qytetarëve e mbështesin këtë antarësim kryesisht prej heqjes së vizave në hapësirën Shengen. “Mbetet të shihet mbështetja reale e publikut për integrimin, atëherë kur vizat të hiqen vërtet dhe kur të dalin sfida të tjera përpara” - tha zoti Rakipi.

Krahas ejtes për lëvizje të lirë, është rritur gjithashtu numri i qytetarëve që pohojnë se e mbështesin antarësimin në BE të Shqipërisë për të gjetur punë në Europë

Ndërkohë, sipas studimit, është rritur numri i atyre qytetarëve që mendojnë se Shqipëria nuk ka arësye ta mbajë këtë antarësim si një përparësi të dorës së parë. Ambasadori i Spanjës në Tiranë, Emanuel Montobio, tha në takim se integrimi në BE varet shumë nga maturia e dhe cilësia e demokracisë.

“Bashkimi Europian po kërkon zbatimin e ligjit, ekonominë e tregut, zhvillimin e demokracisë dhe të gjitha këto janë saktësuar në përmbajtjen e standarteve. Tani duhet studiuar situata reale e shoqërisë, pra se cfarë bën ajo dhe cfarë pret ajo nga BE. Ajo që thuhet për Amerikën, ëshë po aq e vërtetë edhe për Europën: Mos pyet se cfarë bëri BE për ju, por mendoni se cfarë do të kontribuoni ju në Bashkimin Europian, cfarë vlerash dhe standartesh do të paraqitet shqipëria në dyert e saj” - tha zoti Montobio.

Ky është i pesti vit rresht që Instituti për Studime Ndërkombëtare kryen këto sondazhe për të studiuar perceptimet e qytetarëve shqiptarë në raport me Bashkimin Europian. Vitin që kaloi pati një ulje të gjithë treguesve, ndërsa sivjet pritshmëria e publikut ndaj Europës dhe qeveritarëve shqiptarë është shumë më e madhe. Madje shumica e të anketuarve shprehen që ndonëse e dinë se Shqipëria nuk është ende gati për një antarësim të plotë në BE, ata besojnë se ky antarësim do të ndodhë brenda 2-4 vjetësh, pra deri në vitin 2014.

XS
SM
MD
LG