Lidhje

BE-ja paralajmëron Francën kundër deportimeve të romëve


Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e marrjes së masave disiplinore kundër Francës për shkak të vazhdimit të deportimit të imigrantëve romë. Komisionerja e Drejtësisë në BE, Vivien Reding, i quajti deportimet "të turpshme." Në Paris, zëdënësi i Ministrisë së Jashtme Bernardo Valero shprehu habi ndaj deklaratës së Komisionit Evropian.

Deportimet e romëve nga Franca janë të turpshme dhe ndoshta shkelin ligjin e BE, ishte kjo deklarata e sotme e organit ekzekutiv të BE-së, duke krijuar kështu mundësinë e një ballafaqimi me qeverinë e presidentit francez, Nikola Sarkozi.

Gjatë javëve të fundit, autoritetet franceze kanë shpërndarë mbi 100 kampe të paligjshme dhe kanë deportuar më shumë se një mijë romë, kryesisht në Rumani, gjest ky që është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Komisionerja e BE-së për Drejtësinë Viviane Reding tha se ndjehej thellësisht e prekur nga dëbimet.

Personalisht jam e indinjuar nga situata që të jep përshtypjen se njerëzit dëbohen nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian vetëm për arsyen se janë një minoritet etnik. Kjo është një situatë që mendoja se Evropa nuk do të ishte përsëri dëshmitare pas Luftës së Dytë Botërore. Komisioni nuk ka zgjidhje tjetër veçse të fillojë një procedurë ligjore kundër Francës.

Kjo ishte një goditje e fortë nga Brukseli ndaj një prej vendeve më të fuqishme anëtare të Bashkimit Evropian.

Në Paris zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Bernardo Valero shprehu habi ndaj njoftimit të Komisionit Evropian.

Zonja Reding kritikoi ashpër autoritetet franceze për argumentin e paraqitur në komisionin e BE-së se dëbimi nuk ishte diskriminim ndaj romëve – një pretendim që duket kontradiktor me njoftimet e lajmeve për një letër të qeverisë ku urdhërohen zyrtarët rajonalë të eliminojnë sa më shpejt kampet ilegale të romëve.

“Pas 11 vjetësh përvojë në komision më duhet të them – është turp. Më lejoni të jem e qartë – diskriminimi mbi baza etnike apo racore nuk ka vend në Evropë”, përfundoi komisionerja Reding.

XS
SM
MD
LG