Lidhje

SHBA pranë miratimit për konsum të salmonit të modifikuar gjenetikisht


SHBA pranë miratimit për konsum të salmonit të modifikuar gjenetikisht
SHBA pranë miratimit për konsum të salmonit të modifikuar gjenetikisht

Qeveria amerikane po shqyrton për herë të parë mundësinë e miratimit të një kafshe të modifikuar gjenetikisht për konsum nga njeriu. Bëhet fjalë për peshkun salmon, por miratimi i tij do t’u hapte rrugën edhe kafshëve të tjera. Ata që e mbështesin këtë masë, thonë se do të shërbente për të ushqyer popullatën e planetit që po shtohet me ritme të shpejta, në një kohë kur ujërat e lumejve dhe oqeaneve po varfërohen dhe nuk i përmbushin dot këto kërkesa.

Pas një analize disa vjeçare, njoftohet se Administrata Amerikane për Ilaçet dhe Ushqimin është gati të deklarojë miratimin e saj për shitjen për konsum njerëzor të salmonit të modifikuar gjenetikisht. Ky vendim i mbajtur pezull prej vitesh dhe që ka zgjuar shumë polemika, mund t’u hapë rrugën tregtimit të kafshëve të tjera të modifikuara gjenetikisht. AquaBounty – një kompani që operon në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada ka mbi 20 vjet që merret me studimin dhe modifikimin gjenetik të salmonit. Ronald Stotish është president i AquaBounty Technologies.

"Ky salmon rritet afro 2 herë më shpejt se salmoni i zakonshëm dhe kjo thjesht për faktin se (falë modifikimit gjenetik), përmban një kopie të dytë të hormonit të rritjes. Pra këtij salmoni i kemi shtuar një gjen tjetër të marrë po nga salmoni".

Zoti Stotish thotë se AquaBounty zgjodhi salmonin për këtë punë, pasi ka vlera të larta ushqyese.

"Parashikojmë që me shtimin e popullsisë së planetit, të rritet kërkesa për proteinë cilësore. Peshku është ndër transformuesit më efikasë të ushqimit në proteinë ushqyese”.

Zoti Stotish thotë se miratimi i salmonit në Shtetet e Bashkuara është një hap shumë i rëndësishëm për rritjen e tij komerciale në ferma (basene) peshku në të gjithë botën.

“Ne shesim vezë nga e cila del një salmon femër, plotësisht sterile. Këto peshq mund të rriten edhe në sisteme basenesh, në rezervuare, të ngjashme me ato ku rritet trofta aktualisht”.

Ronald Stotish thotë se duke prodhuar vetëm femra sterile, të cilat mbahen në sisteme të mbyllura, eliminohet rreziku i daljes së tyre nga ky system dhe ndotja e mjedisit apo cënimi i biodiversitetit të salmonit të egër. Njerëzit, thotë ai, nuk duhet t’i shqetësojë fakti që po hanë salmon të modifikuar gjenetikisht:

“Këtu në Shtetet e Bashkuara kemi kohë që konsumojmë sasi të konsiderueshme soje, gruri dhe kultura të tjera bujqësore të modifikuara gjenetikisht. Ky është realitet edhe në vende të tjera në botë”.

Por kjo s’është plotësisht e vërtetë. Sipas një raporti të Bankës Botërore, vetëm 22 vende mbjellin farë të modifikuar gjenetikisht që përbën rreth 8 për qind të sipërfaqes globale të kultivuar. Arsyeja për këtë, thotë raporti, është perceptimi publik se këto bimë janë të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin.

Bashkimi Evropian ka rregullore të forta për kulturat e modifikuara gjenetikisht, duke lejuar vetëm një numër të kufizuar. Kohët e fundit BE propozoi mundësinë që vendet anëtare të vendosin vetë nëse mund t’i lejojnë apo kufizojnë ato.

Në Shtetet e Bashkuara, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve, e cila do të marrë vendimin për salmonin e ri, nuk pranoi të bënte komente. Por Departamenti i Bujqësisë ka shprehur shqetësim për pakësimin e rezervave të peshkut dhe nevojën për prodhim më të madh. Mark Mirando punon për Institutin Kombëtar të Ushqimit dhe Bujqësisë pranë këtij Departamenti.

“Kërkesa për prodhime deti në Shtetet e Bashkuara dhe botë po rritet me shpejtësi, por kapaciteti i oqeaneve për të përballuar furnizimin, qoftë edhe në nivelet aktuale, pa pasur rritje popullsie, apo kërkese, po bie”.

Sipas statistikave të Departamentit të Bujqësisë, akua-kultura (kultivimi i peshkut) në Shtetet e Bashkuara ka arritur vlerën e afro 1 miliard dollarëve gjatë 20 vjetëve të fundit, kryesisht falë kërkesës në rritje dhe kufizimit të peshkimit në zona natyrale.

“Nëse provohet se ky modifikim gjenetik është i padëmshëm dhe nuk lindin shqetësime se peshku mund të shpëtojë nga basenet dhe të futet në lumejtë natyrorë, ku të konkurojë me peshkun natyral, atëherë do të thoja se është një metodë e vlefshme për të rritur efikasitetin e prodhimit ushqimor”.

Pavarësisht nga parashikimet për rritje popullate, thjesht fakti që në të gjithë botën ka pikëpyetje të mëdha për kulturat bujqësore të modifikuara gjenetikisht, çon në përfundimin se ky salmon do të hasë në kundërshti edhe më të forta dhe do të zgjojë polemika edhe më të ndezura.

XS
SM
MD
LG