Lidhje

Sekuestrohen lëndë narkotike në kufirin shqiptaro-grek

  • Raimond Kola

Sekuestrohen lëndë narkotike në kufirin shqiptaro-grek

Sekuestrohen lëndë narkotike në kufirin shqiptaro-grek

Policitë shqiptare dhe greke i janë rikthyer operacioneve të kontrollit kundër transportimit të bimës narkotike të hashashit. Policia e Gjirokastrës bllokoi në Pikën Kufitare të Kakavijës rreth 15 kilogramë hashash në një autoveturë që udhëtonte drejt Greqisë.

Lënda narkotike u gjet e fshehur në katër gomat e automjetit, ndërkohë që një shtetas shqiptar që udhëtonte drejt Greqisë u arrestua. Policia tha se kishte kohë që nuk kishte evidentuar raste të tilla të transportimit të lëndëve narkotike te fshehur në mënyrë të sofistikuar.

Pak ditë më parë policia shqiptare, po në këtë pikë kufitare, kishte bllokuar disa kilogramë hashash të fshehur në bagazhet e një autobusi të udhëtareve i cili udhëtonte drejt Athinës. Policia arrestoi personin që po transportonte lëndën narkotike pas hetimeve te menjehrshme.

Mbi bazë të një praktike me shoqëritë e linjave ndërkombëtare të autobusëve policia shqiptare i ka të gjitha bagazhet e udhëtarëve të evidentuara në kufi dhe e ka më të lehtë zbulimin e autorëve në rastet e implikimeve të tyre në forma të krimit.

Ndërkaq, Policia e Janinës njoftoi mbrëmë se bllokoi mbi 100 kilogramë hashash në një autoveturë në afërsi të Janinës. Policia greke tha se dyshohet se lënda narkotike ishte futur nga kufiri tokësor shqiptar dhe më pas ishte ngarkuar në automjetin me targa greke.

Të dy policitë po hetojnë rrjetin e mundshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë. Sipas policisë, origjina e sasisë më të madhe të lëndës narkotike që transportohet drejt Greqisë është fshati Lazarat i Gjirokastrës. Ky fshat është i njohur dy tre vitet e fundit për kultivimin e hashashit.

Pothuajse të gjitha operacionet policore në zonat në Jug të Shqipërisë,të kryera gjatë vitit të shkuar dhe fillimin e këtij viti, kanë provuar se lënda narkotike ka dalë nga ky fshat për tu transportuar drejt kufirit grek. Rruga më e përhapur e trafikut është ajo nga brezi i kufirit tokësor të Shqipërisë me Greqinë pasi hapësira detare, kryesisht me ishullin grek të Korfuzit, monitorohet fort nga roja bregdetare e të dy vendeve.

XS
SM
MD
LG