Lidhje

Krasniqi: Bisedimet me Serbinë pas zgjedhjeve në Kosovë


Krasniqi: Bisedimet me Serbinë pas zgjedhjeve në Kosovë

Krasniqi: Bisedimet me Serbinë pas zgjedhjeve në Kosovë

Udhëheqësit e Kosovës, thonë se Prishtina është politikisht e përgatitur që të hyjë në bisedime me Serbinë për çështje teknike të interesit të ndërsjellë si dy vende të barabarta, por koha e fillimit të tyre duhet të presë përfundimin e zgjedhjeve të përgjithshme. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, njëherësh edhe ushtrues i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se “do të ishte në interes edhe të politikës edhe të atyre që duhet t’i mbikëqyrin bisedimet, që ato të zhvillohen kur Kosova t’i ketë institucionet e dala nga zgjedhjet e reja”.

Por kur do të mbahen ato? Zoti Krasniqi tha se javën që vjen mund të përcaktohet data e saktë e tyre.

Data përfundimtare do të vendoset mbi bazën e asaj që e përcakton Kushtetuta. Mandati im është gjashtë muaj dhe brenda këtij afati duhet të kryhen zgjedhjet. Unë kam kërkuar një informim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që të m’i japë afatet që duhen pas ditës zgjedhore, për të qenë në afatin kohor të zgjedhjes së institucioneve që dalin nga zgjedhjet e lira”, tha zoti Krasniqi.

Një pjesë e partive politike kanë kërkuar fillimisht reforma në sistemin zgjedhor, që në radhë të parë nënkupton përmirësime në ligjin e zgjedhjeve, ndryshimet në të cilin janë kërkuar edhe nga ekspertët e Bashkimit Evropian pas zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Grupi punues për zgjedhjet, në debatet e deritashme ka propozuar pak ndryshime, duket i kushtëzuar edhe nga koha e shkurtër. Zoti Krasniqi tha se propozimet për ndryshime në ligjin zgjedhor mund të miratohen me procedurë të përshpejtuar.

Partitë politike kanë qëndrime të ndryshme sa i përket kohës së zgjedhjeve të parakohshme. Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon që ato të ndodhin në muajin mars, drejtuesit e Partisë Demokratike të cilët fillimisht kishin kërkuar që zgjedhjet të mbahen sivjet, kërkojnë që ato të mbahen në fillim të vitit që vjen.

Respektoj kërkesat e subjekteve politike, por të gjithë, edhe unë edhe subjektet politike janë të obliguara ta respektojnë kushtetutën”, theksoi zoti Krasniqi.

Sipas Kushtetutës, kryetari i parlamentit mund të ushtrojë detyrën e presidentit të vendit jo më shumë se gjashtë muaj. Mbështetësit e idesë që zgjedhjet të mbahen në fund të janarit apo në fillim të shkurtit, thonë se ato duhet të mbahen të paktën 45 ditë parapara skadimit të këtij afati, për t’u krijuar hapësirë procesit të numërimit dhe vërtetimit të rezultateve të tyre.

Zgjedhjet e parakohshme, mbetën zgjidhja e vetme për situatën e krijuar në Kosovë pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu, javën e kaluar.

XS
SM
MD
LG