Lidhje

Kosova në udhëkryq për zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme


Kosova në udhëkryq për zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme
Kosova në udhëkryq për zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme

Në Kosovë, partitë politike por edhe përfaqësuesit diplomatik janë vënë në kërkim të rrugëdaljes nga situata e krijuar pas vendimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që të tërhiqet nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës. Qëndrimet janë të ndara rreth mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe mundësisë që ato të shmangen deri në zgjedhjet e parakohshme tashmë të caktuara për 13 shkurt të vitit 2011.

Që sot edhe formalisht, morri fund koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ministrat nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës filluan dorëzimin e posteve të tyre në pajtim me vendimin e kryesisë së kësaj partie për t’u larguar nga koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës.

Përfundimi i koalicionit ka hapur debatet rreth zhvillimeve të mëtejme politike për tejkalimin e situatës së krijuar në vend. Lidhja Demokratike e Kosovës pohon se vendi duhet të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme të caktuara me 13 shkurt, ndërsa zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, e cilësuan krizë institucionale gjendjen e re të krijuar në vend, duke mos përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Analistët ndërkaq thonë se në tryezë janë disa mundësi. Analisti Ramush Tahiri thotë se më të besueshme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, “të cilat mund të mbahen pas votimit të mosbesimit të qeverisë, i cili duhet të paraqitet nga kryeministri Thaçi dhe atëherë duhet të caktohet data e zgjedhjeve e cila është jo më shumë se 40 ditë, që i bie diku në javën e parë të dhjetorit, ose më 5 dhjetor”, thotë zoti Tahiri.

Kushtetuta dhe ligjet në fuqi hapin mundësi për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Variant tjetër është që të vazhdohet me këtë qeveri, kështu çfarë është, në dorëheqje deri në zgjedhjet me 13 shkurt dhe të munden të gjitha partitë që të përgatiten për këto zgjedhje. Por variant më i përafërt është ai i zgjedhjeve të jashtëzakonshme sepse duket kohë e gjatë, katër muaj që të rrihet në një qeveri që është joefikase”, theksoi Tahiri.

Gjërat tashmë janë në dorën e kryeministrit të vendit Hashim Thaçi, i cili është duke debatuar këtë çështje edhe me diplomacinë ndërkombëtare. Por edhe kjo e fundit, thuhet se është e ndarë ndërmjet dy mundësive. Një pjesë e diplomatëve mbështesin idenë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të përshpejtojë procesin e krijimit të institucioneve të reja, ndërsa pjesa tjetër që të priten zgjedhjet e parakohshme të caktuara për 13 shkurtin e vitit të ardhshëm.

Opozita ndërkaq vlerëson se rënia e qeverisë së koalicionit është përfundim siç thuhet i natyrshëm i kësaj qeverie, ndërsa ka qëndrime të ndryshme rreth zhvillimeve në vijim. Një pjesë e saj mendon se zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë mbetur zgjidhja e vetme për situatën në vend, ndërsa një pjesë mendon se është e pamundur që kjo të ndodhë në një kohë të shkurtër. Të shqetësuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme janë shprehur edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Koalicioni qeverisës ndërmjet rivalëve të vjetër Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pasoi zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2007. Marrëveshja për bashkëqeverisje u arrit në janar të vitit 2008 ndërsa një muaj më vonë në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë e cila është njohur nga 70 vende të botës. Zgjedhjet lokale të vitit 2009 shënuan një periudhë përplasjesh ndërmjet partnerëve të koalicionit, që kulmuan me dorëheqjen e ish presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

XS
SM
MD
LG