Lidhje

Autoritetet hulumtojnë një varrezë të dyshuar masive


Autoritetet hulumtojnë një varrezë të dyshuar masive
Autoritetet hulumtojnë një varrezë të dyshuar masive

Në Kosovë, autoritetet filluan sot hulumtime në një vend të dyshuar se mund të ketë trupa të mbi 20 pjesëtareve të komunitetit serb të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Hulumtimet që po zhvillohen në fshatin Zhilivodë të komunës së Vushtrrisë mund të zgjasin disa muaj, meqë sic thotë Arsim Gërxhaliu, drejtor I departamentit të Mjekësisë ligjore, ka shumë punë për të bërë në atë zonë e cila është e njohur me miniera ku nxirret qymyr me metoda të vjetra.

Këto janë punët fillestare ku është duke u bërë së pari analiza e dheut, domethënë stabilitetit, meqë bëhet fjalë për disa miniera në të cilat është nxjerrë thëngjilli dhe për shkak të sigurisë bëhen analizat preliminare të stabilitetit të terrenit dhe qasjes, meqenëse do të hapet një krater i perimetrit jashtëzakonisht të madh. mjaft të madh në formë shkallëzore dhe të depërtohet në thellësi deri në 25 metra dhe pesë metrat e fundit është pjesa ku duhet të hyjnë antropologët për të punuar”, tha zoti Gërxhaliu.

Autoritetet serbe thonë se civilë serb ishin rrëmbyer dhe mbajtur në këtë zonë në vitin 1998, duke ju referuar një periudhe të shkurtër kur ajo kontrollohej nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Velko Odalovic, përfaqësues i delegacionit të Beogradit për persona të zhdukur tha se ka dyshime të bazuara që aty mund të ketë mbi 20 trupa.

Çdo vend i dyshuar duhet të vërtetohet dhe ky është detyrim yni dhe nuk do të guxonim të mbyllim sytë para asnjë informacioni të tillë dhe këtë do ta bëjmë jo vetëm këtu, por kudo ku ka njoftime të tilla”, tha Velko Odalovic.

Aktualisht autoritetet serbë thonë se janë duke hulumtuar në një vend varrezë të dyshuar në fshatin Rudnice në Serbinë jugperëndimore, ku besohet se janë trupat e mbi 250 shqiptarëve të Kosovës.

Çështja e personave të zhdukur tash e gjashtë vjet më radhë është pjesë e bisedimeve ndërmjet delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit, por rezultatet ende janë të pakta. Kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për persona të zhdukur, Prenkë Gjetaj thotë se këto bisedime duhet të vazhdojnë krahas trysnisë që siç thotë ai duhet të bëhet mbi Beogradin për të dhënë më shumë informacione rreth kësaj çështjeje.

Edhe 11 vjet pas përfundimit të luftës, nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 800 personave, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG