Lidhje

Përmbytjet, Shqipëria kërkon ndihmë ndërkombëtare

  • Armand Mero

Përmbytjet, Shqipëria kërkon ndihmë ndërkombëtare

Përmbytjet, Shqipëria kërkon ndihmë ndërkombëtare

Në Shqipëri autoritetet kanë kërkuar sot ndihmë logjistike nga jashtë. Presidenti Bamir Topi ka patur një telefonatë me homologun e tij turk Abdullah Gul, ndërsa nga ana e tij ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto ka patur kontakte me homologët e tij italian, grek dhe turk për të kërkuar ndihmë logjistike, kryesisht helikopterë për shpërndarjen e ndihmave. Përvec zonës së Shkodrës probleme serioze po shfaqen edhe në zona të tjera të vendit

Situata në përkeqësim të vazhdueshëm në zonën e Shkodrës, por dhe problemet që po shfaqen në pjesë të tjera të vendit po bëjnë të pashmangshme kërkesën për ndihmë nga jashtë. Presidenti Bamir Topi ka patur një bisedë telefonike me homologun e tij turk Abdullah Gul të cilit i ka theksuar se gjendja është akute dhe nevojiten ndihma për popullatën. Për këtë arsye presidenti Topi ka kërkuar nga pala turke mbështetje për logjistikën dhe transportin. Përgjigja ka qenë e menjëhershme dhe ndihmat e para nga Turqia sic njofton presidenca do të mbërrijnë që sot. Me palën turke ka patur komunikim edhe ministri i jashtëm shqiptar Edmond Haxhinasto i cili ka biseduar me homologun e tij. Ministri Haxhinasto i konfirmoi Zërit të Amerikës se ka komunikuar edhe me palën greke dhe italiane. Ndërsa nesër ai ka thirrur në një mbledhje ambasadorët e vendeve të Natos dhe Bashkimit europian në Shqipëri. Ndërkaq Ministria e Financave njoftoi se ka hapur llogari në të gjitha bankat duke bërë thirrje që të ofrohen ndihma për zonat e prekura nga përmbytjet

Vendi në të vërtetë po kalon momente të vështira. Që prej ditës së djeshme probleme me përmbytjet apo bllokimet e rrugës janë shfaqur në shumë pjesë të tjera. Uji vazhdon të jetë i pranishëm në Fushë Krujë ku ka shkaktuar jo pak dëme. Po ashtu edhe në pjesë të Durrësit si dhe disa lagje të këtij qyteti. Dalja nga shtrati i lumit Gjanicë ka përmbytur disa zona në Fier. Përmbytje ka patur edhe në Berat apo dhe në fushat e Maliqit Bllokime ka patur në disa akse rrugore dhe në autostradën Lushnjë Fier kalimi u bllokua dhe realizohet përmes rrugës së vjetër. Në disa pjesë të tjera ka patur rrëshqitje dherash, I bllokuar në disa segmente edhe transporti hekurudhor.

I vetmi lajm i mirë në këto moment është njoftimi nga shërbimet meterologjike sipas të cilave në tre katër ditët e ardhshme do të ketë kryesisht vranësira dhe shirat do të jenë me intensitet të ulët.

XS
SM
MD
LG