Lidhje

Qeveria britanike vendos kufizime për imigrantët jashtë BE-së


Qeveria britanike vendos kufizime për imigrantët jashtë BE-së

Qeveria britanike vendos kufizime për imigrantët jashtë BE-së

Britania tërheq studentë dhe punëtorë nga e gjithë bota, aq shumë saqë imigracioni është kontribuesi më i shpejtë i rritjes së popullatës së Britanisë. Koalicioni i ri qeveritar ka në plan të paraqesë një kufi për numrin e imigrantëve që shkojnë në Britani nga vende jo anëtare të Bashkimit Evropian. Në materialin në vazhdim bëhet fjalë mbi përpjekjeve që bëjnë disa imigrantë për të qëndruar në vend dhe ndikimet e mundshme të propozimit të qeverisë mbi imigracionin.

Në Anglinë veriore, një afgan dhe nusja e tij e ardhshme sllovake do të merren në pyetje.

“Çifti do të martohej në orën 10:30 por ne e ndërpremë ceremoninë.”

Policia beson se martesa ishte fars dhe bëhej për të mbajtur dhëndrin në Britani. Autoritetet janë në ndjekje të martesave të tilla, që shihen si një mënyrë e lehtë për imigrantët që të bëhen të ligjshëm.

Në Anglinë jugore, ky prift u dënua pasi kishte kurorëzuar 360 martesa të rreme.

“Po shohim raste për shembull ku një shtetas afrikano-perendimor që nuk është në BE, martohet me një shtetase të BE-së qoftë kjo hollandeze, franceze apo spanjolle dhe kështu merr të gjitha të drejtat. Pra kanë interes të martohen me një shtetase apo shtetas të BE-së.”

Zoti Bullimore thotë se kjo po bëhet si një industri, ku “ndihmësi” mund të fitojë 10 mijë dollarë për çdo martesë të rreme. Ky prift filloi të punonte me policinë pasi ishte bombarduar me kërkesa për martesa që mendonte se ishin fallco. Gjatë një ceremonie ai filloi të recitonte emrat e stacioneve të metrosë në vend të ritualit dhe nusja që dukej qartë se nuk dinte anglisht përsëriste çdo gjë.
I përndershmi Tim Codling thotë se një sistem paralel ligjor i bën kishat objektiva të lehta.

“Kisha e Anglisë është më tërheqëse pasi nuk duhet të shkosh përmes të gjitha kontrolleve sikurse duhet të kalosh në se bën një aplikim në një sistem laik.”

Qeveria e kryeministrit David Cameron po përpiqet të ulë imigracionin nga vende jo anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo ka vënë një kufi për numrin e imigrantëve që mund të hyjnë në vend – 24 mijë e 100 çdo vit. Rregulli është i përkohshëm por pritet të bëhet ë përhershëm prillin e ardhshëm.
Kjo politikë është kritikuar nga një grup laureatësh të çmimit Nobel që thanë se ajo do të dekurajojë studentë dhe shkencëtarë të shquar të shkojnë në Britani dhe do të kërcënonte reputacionin e Britanisë si vend në krye të fushës së kërkimeve. Drejtuesit e biznesit thonë se kjo do të ndalte bizneset të rekrutonin talentet më të mira ndërkombëtare. Prodhuesit e makinave kanë paralajmëruar të njëjtën gjë.
Alp Mehmet me organizatën Migration Watch është dakort me politikën e qeverisë dhe beson se numri i imigrantëve po del jashtë kontrollit.

“Nuk janë imigrantët. Ne duam që mumri i atyre që vijnë të jetë në një nivel që ata të mund të integrohen dhe të bëhen pjesë e kësaj shoqërie dhe jo grupe brenda shoqërisë.”

Britania ka një histori të gjatë me imigrantët dhe kryeqyteti është i mbushur me lagje të ndryshme etnike si Brixton në jug të Londrës, ku banojnë shumë imigrantë nga Karaibet që erdhën këtu në vitet 1940. Rreth 176 mijë imigrantë vijnë çdo vit në Britani dhe kryeministri i ri kërkon ta pakësojë këtë numër në dhjetra mijëra. Megjithatë ai u ka lënë të kuptohet bizneseve këtu se ai mund ta ngrejë kufirin për punonjësit e arsimuar në mënyrë që ta mbajë Britaninë të hapur për biznes.

XS
SM
MD
LG