Lidhje

Demokracia dhe sistemi i arsimit në Kosovën e pas luftës

  • Festim Gashi

Demokracia dhe sistemi i arsimit në Kosovën e pas luftës

Demokracia dhe sistemi i arsimit në Kosovën e pas luftës

Arsimi në Kosovë ende po ballafaqohet me vështirësi të mëdha si pasojë goditjes që mori në vitet ‘90. Në atë kohë, arsimi në gjuhën shqipe zhvillohej nëpër shtëpi private gjë që ka ndikuar në cilësinë e arsimit në vend. Por pas vitit 1999, arsimi në Kosovë ka pësuar ndryshime të mëdha dhe është përmirësuar. Kohët e fundit Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Instituti Demokratik Kombëtar organizuan një debat mbi gjendjen e arsimit në Kosovë dhjetë vjet pas përfundimit të luftës. Në mesin e pjes[marrësve ishin edhe disa gra nga Kosova të cilat gjenden në Uashington me programin Hope Fellowship. Kolegu ynë Festim Gashi ishte i pranishëm në këtë aktivitet dhe na sjellë hollësi.
Pjesëmarrësit ishin të një mendimi se arsimi në Kosovë ka shënuar përparim. Pavarësisht nga vështirësitë me të cilat po ballafaqohet sistemi i arsimit në Kosovë, pas vitit 1999 ka kaluar nëpër një proces të madh ndryshimesh. Përveç përjashtimit të mijëra shqiptarëve nga vendet e punës, dëbimi i nxënësve dhe studenteve nga objektet shkollore në vitet 1990 ishte goditja më e rëndë kundër Kosovës. Gjendja e tensionuar politike e kësaj periudhe ka dëmtuar rëndë cilësinë e arsimit në vend.

“Konteksti politik ka patur ndikim të madh në këtë periudhë të arsimit dhe në vlerat e përgjitshëm të arsimit në vendin tonë. Para luftës Kosova kishte një sistem arsimor paralel. Mësimi në të gjitha nivelet zhvillohej nëpër shtëpi private.”

Zyrtarja e marketingut në bankën Pro-Credit në Kosovë, Shpresaj Kika tha se e vetmja shpresë e nxënësve, mësuesve, dhe prindërve të angazhuar në atë kohë ishte mbajtja gjallë e krenarisë kombëtare dhe arsimit në përgjithësi.
Vera Rexhepi, zyrtare e lartë në Zyrën e Integrimeve Evropiane në Ministrinë e Ekonomisë në Kosovë, tha se gjendja e arsimit sot në Kosovë është më e mirë se ç’ishte para luftës. Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës sigurojnë mundësi të barabarta për të gijithë. Nga përvoja amerikane ajo thotë se dëshiron të shohë të njejtin sistem edhe në Kosovë.

“Unë punoj në Këshillin Kombëtar për Shkencë dhe Mjedis. Kam parë se sa të inkuadruara janë në programet e shkollave temat dhe çëshjtet e mjedisit të cilën do të dëshiroja t’i shihja edhe në Kosovë.”

Ndërkohë, Dr. Vjollca Godanci mjeke në Klinikën Universitare të Kosovës, tha se krijimi i programeve të reja integruese nga qeveria po u krijon mundësi sektorit privat, shoqërisë civile, dhe organizatave jo-qeveritare të marrin pjesë në diskutimet mbi arsimin. Krijimi i strategjisë kombëtare për arsimin për vitet 2011-2016 ka krijuar një mjedis të mirë në Kosovë për zhvillimin e arsimit, thotë ajo.

“Procesi arsimor në Kosovë ka ecur përpara. Duke qenë një ndër tre prioritet e qeverisë në Kosovë. Ka probleme, ka sfida të cilat ne po mundohemi t’i zgjidhim.”

Përvoja e këtyre ditëve në Amerikë, thotë ajo, është një shembull i mirë i asaj që ka nevojë Kosova sot.

“Përvoja e ime më e mirë ka qenë vizita në Zyrat e Edukimit Diplomik (Graduate Medical Education Offices) mjekësor. Dhe kam dëshirë që struktura të ngjashme të mund të implementohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë.”

Megjithatë, ekzistojnë shumë sfida social-ekonomike me të cilat ndeshet shteti i ri i Kosovës.
Pjesëmarrëset në debat gjenden në Uashington me programin e financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvilllim Hope Fellowship i cili administrohet nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Njohuritë e fituara në Shtetet e Bashkuara ato shpresojnë t’i përdorin kur të kthehen në Kosovë.

XS
SM
MD
LG