Lidhje

Daci: Bisedimet me Serbinë janë të domosdoshme


Daci: Bisedimet me Serbinë janë të domosdoshme

Daci: Bisedimet me Serbinë janë të domosdoshme

Më 12 dhjetor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Rreth 30 subjekte politike me mbi 1 mijë e 300 kandidat janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zëri Amerikës fillon sot një seri intervistash me udhëheqësit e disa prej partive politike. Në një intervistë për programin tonë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci shpalos disa nga arsyet e pjesëmarrjes në këto zgjedhje. Zoti Daci, thotë se Kosova është e detyruar të hyjë në bisedime me Beogradin për zgjidhjen e çështjeve të përbashkëta. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Besim Abazi, zoti Daci thotë se integrimi i veriut të Kosovës do të jetë një proces i përbashkët me mekanizmat ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, si po hyn partia juaj në këto zgjedhje, duke pasur parasysh se ato janë të jashtëzakonshme dhe organizimi i tyre pasoi zhvillime interesante në skenën politike të Kosovës?

Nexhat Daci: Janë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe ka qenë vështirë me i parapa. LDD ka dhënë gjithmonë që kjo qeveri shpejt do të na lusë me e rrezu dhe ashtu ndodhi. Jemi të përgatitur në plotni, me një platformë politike të sonduar me një video-film për atë çfarë ofron në qeverisje LDD. Nuk kemi shumë zhurmë sepse, dorën në zemër besoj se jemi parti shumë e varfër për zhurmë, por për punë shumë e disponuar, me një ekip të shkëlqyer, që e ka një pastërti, unë them, jo vetëm në duar por edhe në mendje, sepse pa qenë mendja e pastër, duart nuk mund të rrinë të pastra.

Zëri i Amerikës: Cila është arsyeja që votuesi i Kosovës duhet të vendosë kësaj radhe që të votojë për LDD-në?

Nexhat Daci: Po unë e them me garancitë më të mëdha. LDD është e gatshme ta funksionalizojë shtetin e Kosovës. Një shtet që do të qëndronte në shtyllat më të fuqishme të vetat. Në integritet territorial, në sovranitet, në kushtetutshmëri, do të thotë, jeta do të zhvillohej brenda ligjeve, sepse në këto tri vite e mendoj që kemi qenë, mjerisht në thonjëza po e them po, “out law country”. Dhe ky është rreziku me i madh. LDD ka kapacitet dhe potencial për këtë dhe përnjëherë do të fillonte një zhvillim i fuqishëm ekonomik shumë i bazuar në fiskalitet dhe në mundësi të veta, pa ëndrra të mëdha, që do t’i punësojmë 150 mijë veta ose 120, ose 30 mijë. Pa rrenë të mëdha dhe do të fillojë të shihen në gjashtëmujorin e parë hapat e parë që kthejnë optimizëm në Kosovë. Në shëndetësi, në shkencë, në programe sociale dhe mbi të gjitha në branshat e ekonomisë që do të jenë lokomotivë e tërheqjes se zhvillimit ekonomik. Në bujqësi dhe sektorët e saj, turizmin dhe të gjitha shërbimet terciare. Dhe do të ketë një përkrahje, minierat për t’i riaktivizuar, jo për të krijuar Trepça të këtyneherit, por vërtetë t’i demonstrojmë Evropës sepse resurset e fuqishme humane dhe natyrore, por të kishte pak mend, vullnet dhe guxim, do të ishte një shtet i mirë ballkanik.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, përmendet në fillim një prej çështjeve më të diskutueshme që është sovraniteti i Kosovës për shkak të gjendjes në veriun e vendit. Të gjitha partitë e përmendin mundësinë e integrimit të saj. Ju si do ta bëni një gjë të tillë?

Nexhat Daci: Unë besoj, në mënyrën më të lehtë të mundshme, sepse, besoj se respektoj një respekt tek të gjitha fetë, kombet dhe i tërë populli dhe një vendosmëri të paparë. Ajo që do të analizohej mirë nga ekspertiza vendore, në radhë të parë dhe ajo ndërkombëtare, unë do të futesha në procesim pa asnjë hamendje. Dhe duke e pasur, e besoj, “on board” edhe Serbinë e cila është e lodhur dhe e këputur edhe ekonomikisht, sepse unë jam nga lugina e Preshevës dhe i kam informatat ditore. Prandaj, në qoftë se nuk jemi në gjendje ne me instalua shtetin demokratik, krejt tjerat janë pallavra, janë pallavra për pasurimin e xhepave personal. Dhe shpeshherë habitem si liderët e partive politike, e mendojnë Kosovën si një kompani të shekullit XIX diku, që është personale, që mund ta menaxhojnë në mënyre feudale. Kjo në LDD nuk qëndron si opsion.

Zëri i Amerikës: Kur po flisni për veriun dhe bashkëpunimin me qytetarët në veri, a keni vija të tilla që mund t’i shfrytëzoni për një gjë të tillë?

Nexhat Daci: Unë mendoj që po. Ka kanale të fuqishme. Por, mbi të gjitha, mbi të gjitha, asnjë kriminel, nuk do të gjej strehim në veri dhe faza e parë do të jetë derratizimi i terrenit dhe dezinfektimi, në të njëjtën mënyrë siç e kam dezinfektuar sallën e Parlamentit të Kosovës ku janë mbajt gjykimet e (Sllobodan) Milloshevicit me policinë kosovare. Mendoj që për gjithçka jemi të përgatitur dhe në atë mënyrë që të fitohet përkrahja, nën një, e popullatës vendore dhe ekspertëve dhe do të kërkojmë ekspertizë gjithmonë, ndërkombëtare. Në radhë të parë ne shqiptarët e dimë atë se pa Amerikën nuk ka. Ndonjëherë themi, politikisht, “kibla” e Kosovës dhe e shqiptarëve është Amerika.


Zëri i Amerikës: Dhe, edhe nga “kibla” e shqiptarëve siç thoni ju, Amerika, kanë ardhur thirrjet për fillimin e bisedimeve me Serbinë, menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të jashtëzakonshme në Kosovë. Si i shihni këto bisedime dhe çfarë prisni prej tyre. A jeni të gatshëm të hyni në to?

Nexhat Daci: Unë besoj që nuk kemi qare pa hy. Do të thotë është vullnet i imponuar me Rezolutën e OKB-së. Unë po t’i udhëheqja dhe po të isha, kam përshtypjen që as prej Hitlerit nuk do të kisha frikë, se prej politikanëve dhe intelektualëve në asnjë mënyrë. Në mënyrën më civilizuese të mundshme dhe në mënyrën më të fortë të mundur teorikisht dhe praktikisht, por pa dhunë, pa kërcënime dhe pa para në dorë. “Kesh-in” do ta eliminoja prej Kosovën gjatë krejt qeverisjes.

Zëri i Amerikës: Zoti Daci, për t’i realizuar tërë këto, një parti e vetme në Kosovë e ka të vështirë dhe natyrshëm që në një fushatë para zgjedhjeve shtrohen edhe pyetjet që nganjëherë tingëllojnë hipotetike, por, kush do të mund të ishin partnerët tuaj në një qeverisje të re në Kosovë?

Nexhat Daci: Unë jam tepër i sinqertë me ty personalisht por edhe me Zërin e Amerikës. Unë mendoj se unë kam fuqi komplete, politike, intelektuale dhe morale që me secilin partner do ta ktheja në rrugë të Zotit dhe në rrugë të Kosovës, qofshin ata më “wild” e mundshëm që janë në Kosovë. Prandaj, nuk kam asnjë problem me thanë që do të bashkëpunojë me Hashimin (Thacin), me Ramushin (Haradinaj), me Isën (Mustafa), Pacollin (Behxhet). Por, kam shumë vullnet. Pa ma argumentue shumë fuqishëm çdo zgjidhje, kurrë nuk do ta nënshkruaja “blanko”.

XS
SM
MD
LG