Lidhje

Obama, Sarkozi diskutojnë ekonominë dhe çështje të tjera globale

  • Dan Robinson

Obama, Sarkozi diskutojnë ekonominë dhe çështje të tjera globale

Obama, Sarkozi diskutojnë ekonominë dhe çështje të tjera globale

Presidenti Barak Obama dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi kanë zhvilluar bisedime në Shtëpinë e Bardhë në shumë fusha duke u fokusuar në ekonominë e botës, terrorizmin, dhe konfliktet e mëdha globale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dan Robinson njofton se të dy udhëheqësit kanë bërë komente mbi sulmin që ka ndodhur në shtetin e Arizonës ku u vranë gjashtë persona dhe u plagosën 14 të tjerë, përfshirë një anëtare të kongresit amerikan.
Ky ishte takimi i dytë në Shtëpinë e Bardhë për dy udhëheqësit në më pak se një vit. Temat e bisedimeve janë të njohura-rimëkëmbja e ekonomisë globale, çështjet e politikës së jashtme si Irani, Afganistani, referendumi i të dielës në Sudanin jugor dhe situata politike në Bregun e Fildishtë.
Por sulmi në Tusan të Arizonës, i cili ka shokuar vendin dhe botën, ishte në qendër të vëmendjes, ashtu si dhe reagimi i popullit francez ndaj vrasjes së dy shtetasve francez në Niger të Afrikës.
Duke thënë se amerikanët janë ende të pikëlluar dhe të tronditur, presidenti Obama citoi atë që ai e quajti guxim të jashtëzakonshëm të njerëzve të cilët luftuan për ta ndaluar sulmuesin.
Presidenti tha se ai është në konsultim me familjet e të vrarëve dhe të plagosurëve, dhe me guvernatoren e Arizonës dhe udhëheqësit e kongresit, dhe po shqyrtohet mundësia e organizimit të një ngjarje përkujtimore për personat që janë vrarë dhe ata që janë plagosur.

“Nuk ka dyshim se ne do të vendosim disa mekanizma për një ngjarje përkujtimore dhe gjatë ditëve të ardhshme kur të jemi gati do ta njoftojm publikun. Por mendoj se do të jetë e rëndësishme për vendin dhe popullin e Arizonës për të shprehur së bashku ndjenjën e kësaj humbje, por edhe shpresat tona për të ardhmen, dhe se si së bashku mund të dalim nga kjo tragjedi si një vend më i fortë.”

Presidenti Sarkozi tha se populli francez ka qenë thellësisht i shqetësuar nga tragjedia që ka ndodhur në Arizona. Presidenti Obama shprehu ngushëllimet e tij popullit francez për vrasjen e dy shtetasve francez të cilët u rrëmbyen në Niger.
Kryemnistri francez tha të hënën se ai është pothuaj i sigurtë se Al-Kaida e Afrikës veripërndimore është përgjegjëse për rrëmbimin e dy qytetarëve francez. Presidenti Sarkozi, duke folur përmes një përkthyesi, tha se dy vendet janë të bashkuara në nevojën për luftimin terrorizmin.

“Shtetet e Bashkuara dhe Franca janë të vendosura dhe kanë qëndrim të palëkundur si aleate në çështjen e terrorizmit. Nuk kemi zgjidhje tjetër përveç ndjekjes së terroristëve kudo që ata mund të jenë.”

Dy presidentët shfrytëzuan një darkë pune për të diskutuar çështjet si rimëkembja e ekonomisë globale, Lindja e Mesme, Libani, Irani, Afganistani, referendumi në Sudanin Jugor dhe situata në Bregun e Fildishtë.
Në lidhje me çështjen e Iranit, presidenti Obama tha se ata do të diskutonin ndikimin e sanksioneve dhe siç tha ai shpresën për të zgjidhur çështjen e programit bërthamor të Irani përmes diplomacisë. Shtetet e Bashkuara dhe Franca, tha ai, do të bëjnë punën e tyre për t’u siguruar se Irani nuk do të ndërtoj armë bërthamore.
Presidenti Obama tha se pjesë e bisedimeve ishte edhe situata në Bregun e Fildishtë, ku siç tha ai, demokracia po kërcënohet, dhe referendumi në Sudanin jugor dhe sfidat me të cilat ky vend po ndeshet nga dhuna e kohëve të fundit.
Franca ka marr presidencën e radhës së grupit të vendeve më të industralizuara të botës G-8 dhe grupit të vendeve të industralizuara dhe vendeve të zhvilluara G-20. Presidenti Sarkozi do të organizoj takimin e ardhshëm të këtyre vendeve që do të zhvillohet gjatë këtij viti.
Presidenti Sarkozi pritej se do të nënvizonte shqetësimet e tij rreth paqëndrueshmërisë së çmimeve të ushqimit në nivel global, dhe pikëpamjen e tij se nevojitet një rishikim i sistemit monetar global, veprim i cili mund ta sfidoj statusin e dollarit.
Presidenti Obama tha se ndërkohë që vendet janë në proces të rimëkëmbjes nga recesioni, siç tha ai, “ne ende nuk kemi arritur aty ku duam të jemi.”
Zoti Obama tha se mungesa e barazpeshës vazhdon të frenoj prospektin për një rritje ekonomike globale, duke shtuar se Franca dhe Shtetet e Bashkuara janë duke diskutuar se si mund të kordinohet agjenda e G-8-ës dhe G-20-shës për ta bërë sa më produktive në zbatimin e reformave të cilat do të sillnin më shumë begati.
Kishte shenja tjera që tregonin se marrdhëniet mes presidentit Obama dhe presidentit francez Sarokozi janë të shkëlqyera. Presidenti Sarkozy e përshkruajti presidentin Obama si një udhëheqës me aftësi për të arritur te thelbi i çështjeve. Presidenti Obama tha se ai gjithmonë e ka parë presidentin Sarkozi si një partner të jashtëzakonshëm dhe mik të popullit amerikan, si dhe një udhëheqës në skenën botërore.
Ndërkohë, bashkshortja e presidentit Sarkozy, Karla Bruni-Sarkozy, darkoj me Zonjën e Parë Mishell Obama.

XS
SM
MD
LG