Lidhje

Mbetjet plastike në Oqeane dhe pasojat tek mjedisi dhe kafshët e detit

  • Zulima Palaçio

Mbetjet plastike në Oqeane dhe pasojat tek mjedisi dhe kafshët e detit

Mbetjet plastike në Oqeane dhe pasojat tek mjedisi dhe kafshët e detit

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, një sasi gjithnjë e më e madhe e ushqimeve, apo ujit që ne pijmë filloi të ambalazhohet në enë plastike, që kanë si lëndë të parë naftën dhe janë rezistente, por që megjithatë, përdoren për një kohë të shkurtër dhe pastaj hidhen. Çdo ditë ne përdorim dhe pastaj hedhim miliarda qese dhe shishe plastike dhe pjesa më e madhe e këtyre mbetjeve përfundon duke e ndotur mjedisin, ose hidhet në det. Shumë shkencëtarë kanë dokumentuar sasinë në rritje të mbeturinave plastike nëpër oqeane. Tani një çift studjuesish po përpiqen të ndërgjegjësojnë publikun për ekzistencën dhe zgjidhjen e këtij problemi.

Marcus Eriksen në fakt nuk është duke peshkuar… ai është duke kapur mbetje plastike në mesin e Oqeanit Atlantik, mijëra kilometra larg brigjeve.

Eriksen shkoi me një ekspeditë globale për të dokumentuar dhe publikuar grumbullimin përherë e më të madh të mbeturinave plastike në oqeane dhe për të studjuar ndikimin e tyre tek jeta e specieve te ujit dhe ajo njerëzore.

“Këto janë 5 rryma subtropikale të botës, ku grumbullohet shumica e objekteve plastike.”

“Rryma formohet nga lëvizjet e oqeanit që shoqërojnë rrotullimin e Tokës. Kjo është një rrymë massive, një sistem uji që rrotullohet, ku mund të akumulohen mbeturinat.”

Anna Cummins dhe bashkëshorti i saj Marcus Eriksen janë bashkëthemeluesit e Institutit 5 Gyres, një organizatë jo-fitimprurëse me bazë në Kaliforni që nxit kërkimet për ndotjen me materiale plastike të oqeaneve. Cummins thotë se në më pak se 100 vjet njerëzit I kanë zëvendësuar shumicën e produkteve të ripërdorshme dhe materialet natyrore me ato plastike, që përdoren vetëm përkohësisht; shumica e tyre përfundojnë në fushat e mbeturinave plastike, ose nëpër përrenj dhe lumenj. Shumë nga mbeturinat po ashtu shpëlahen në det dhe me kalimin e kohës hyjnë tek rrymat oqeaneve, duke udhëtuar me mijëra kilometra.

“Kjo përbën problem për mjedisin detar, sepse objektet plastike zgjasin për shumë kohë. Ato nuk prishen, nuk treten nga organizmat e marines dhe vazhdojnë të jetojnë në oqeane për mijëra vjet.”

Në udhëtimin e tyre në oqeanet e botës, Eriksen dhe Cummins kanë kontrolluar vetëm 20 centimetrat e parë në sipërfaqen e ujit me një rrjetë të imët. Qindra mostra nga mbeturinat që ata kanë grumbulluar janë duke u analizuar në një laborator të Kalifornisë.

Disa objekte plastike në oqean qëndrojnë pa u shpërbërë për një kohë të gjatë, por shumë prej tyre ndahen në copëza.

Kafshët gabimisht i hanë copëzat plastike, ose ushqejnë me to të vegjëlit e tyre. Qindra zogj deti, peshq dhe breshka ngordhin çdo vit nga konsumimi i mbetjeve plastike.

“Rreth 43 për qind e të gjithë mamalëve të detit: 86 për qind të breshkave dhe 44 për qind të zogjve, janë gjetur me copëza plastike në trupin e tyre ose rreth tyre. 35 për qind e mostrave të peshqve që kapëm në veri të Paqësorit, kishin objekte plastike në stomak.”

Instituti 5-Gyres dhe partnerët e tyre studjues po dokumentojnë tani mënyrën se si objektet plastike hyjnë në rrjetin e ushqimit të Oqeanit dhe studjojnë ndikimin që ato mund të kenë tek shëndeti i njerëzve.

Në kuadrin e përpjekjeve për ndërgjegjësimin e publikut për problemin e mbeturinave plastike, Marcus Eriksen me disa partnerë ndërtuan një anije me 15 mijë shishe plastike. Ata ia vunë emrin asaj JunkCraft, “Anija me mbetje” dhe në vitin 2008 anija u nis nga Kalifornia për në Hawai, duke udhëtuar pikërisht përmes rrjedhave të Paqësorit verior.

Eriksen dhe Cummis pranojnë se pastrimi i deteve nga objektet plastike do të ishte diçka thuajse e pamundur, ngaqë oqeanet zenë dy të tretat e planetit. Mbetjet plasitke do të jenë me ne për një kohë të gjatë, thonë ata. Por ekzistojnë zgjidhje të tjera.

“Zgjidhja e problemit nuk fillon në det, por në Tokë.”

"Ne duhet të përmirësojnë infrastrukturën tone të riciklimit. Në SHBA ne riciklojmë vetëm rreth 5 për qind të objekteve plastike."

Përveç riciklimit të më tepër objektetev plastike, bashkëshortët mbështetin idenë e përdorimit të materialeve të degradueshme dhe ri-dizenjimin e produkteve në mënyrë që ato të jenë plotësisht të riciklueshme. Ata po ashtu besojnë se njerëzit në të gjithë botën duhet të ndërgjegjësohen më tepër për mbetjet plastike dhe ndikimin e tyre të madh te mjedisi dhe shëndeti i njerëzve.

Anna Cummins dhe Marcus Eriksen do të fillojnë së shpejti ekspeditën e tyre të fundit në oqean, këtë herë duke kaluar përmes Paqësorit jugor. Gjatë kthimit, të dy aktivistët kanë në plan t’ua tregojnë përfundimet e tyre komunitetit të shkencëtarëve dhe të botojnë një libër lidhur me eksperiencën e tyre në Oqean.

XS
SM
MD
LG