Lidhje

SHBA: Vdes ish Sekretari i Shtetit Uaren Kristofër


SHBA: Vdes ish Sekretari i Shtetit Uaren Kristofër
SHBA: Vdes ish Sekretari i Shtetit Uaren Kristofër

Ish sekretari amerikan i Shtetit, Uarren Kristofër, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen e vitit 1981 për lirimin e pengjeve amerikane në Iran, vdiq nga komplikacionet në veshka dhe kanceri.

Ish kryediplomati amerikan 85-vjeçar, ishte në shtëpinë e tij në Kaliforni i rrethuar nga njerëzit e familjes, kur vdiq të premten në mbrëmje.

Për pesë dekada ai luajti një rol kyç në jetën civile dhe publike amerikane, si avokat apo negociator i krizave të politikës së jashtëme dhe ndihmoi për të hetuar dhe zgjidhur çështje të vështira të brendëshme dhe të jashtëme të Shteteve të Bashkuara.

Për të nderuar kujtimin e Uarren Kristofërit, Presidenti Barak Obama e quajti atë “mbështetës të vendosur të paqes”, “diplomat të aftë” dhe “zyrtar të dedikuar në shërbim të publikut”.

Kristofër shërbeu si sekretar i Shtetit nga viti 1993 deri në vitin 1997, në adminstratën e presidentit demokrat Bill Klinton, gjatë mandatit të tij të parë.

Uarren Kristofër njihej për drejtësinë dhe taktin e tij. Ai thirrej shpesh nga udhëheqësit amerikanë të përfaqësonte Shtetet e Bashkuara në mosmarrëveshjet më të vështira ndërkombëtare gjatë viteve 1980 dhe 1990. Në librin e tij të vitit 2001 “Shanset e ralla në jetë: Kujtime”, Kristofër shkruante se e shikonte veten si “mbrojtës dhe përfaqësues të një besimit në jashtëzakonshëm të publikut”.

Edhe para se të bëhej sekretari i 63-të amerikan i Shtetit në vitin 1993, ai luajti një rol shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e krizës së gjatë të pengjeve me Iranin, ditën që Ronald Regan u bë presidenti i Shteteve të Bashkuara në janar të vitit 1988. Ai negocioi lirimin e 52 amerikanëve, të cilët ishin mbajtur për 444 ditë në Teheran. Kapja e tyre dhe përpjekjet e dështuara për t’i shpëtuar luajtën një rol kyç në fitoren presidenciale të Reganit ndaj presidentit të atëhershëm Xhimi Karter.

Gjatë viteve, Uarren Kristofër ndihmoi edhe për të realizuar ratifikimin e traktateve për t’i kthyer kontrollin amerikan ndaj Kanalit të Panamasë autoriteteve lokale, drejtoi përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike të Shteteve të Bashkuara me Kinën dhe negocioi mosmarrëveshjet e përsëritura në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan.

Në Shtetet e Bashkuara ai hetoi konfliktet raciale në Detroit dhe Los Anxhelos. Më vonë ai kryesoi komisionin që propozoi reforma në departamentin e policisë së Los Anxhelosit, pas trazirave që ndoshën kur policia rrahu një shofer afrikano-amerikan.

Në vitin 2000, Uarren Kristofër mbikqyri numërimin e votave në zgjedhjet e kontestuara presidenciale mes nënpresidentit Al Gore dhe guvernatorit të Teksasit Xhorxh Bush. Pas një mosmarrëveshjeje të gjatë, zoti Bush doli fitues me vendim të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara dhe shërbeu për dy mandate në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG