Lidhje

Jemeni, një vit pas sulmit të dështuar për Krishtlindje


Jemeni, një vit pas sulmit të dështuar për Krishtlindje
Jemeni, një vit pas sulmit të dështuar për Krishtlindje

Para një viti, ditën e Krishtlindjes, operativët e al-Kaidës në Jemen u përpoqën pa sukses që të rrëzonin një avion me një sulm vetëvrasës. Një vit më pas, Shtetet e Bashkuara e kanë rritur në mënyrë të konsiderueshme ndihmën financiare për Jemenin dhe po përpiqen të stabilizojnë këtë vend të Lindjes së Mesme.

Në kohët e lashta, Jemeni njihej si Arabia e Lumtur. Sot është një nga vendet më të varfra në botë me një papunësi 40 për qind. 30 për qind e popullatës së vendit janë të kequshqyer. Vendi përballet me trazira politike...me Hutitë në veri që luftojnë kundër qeverisë dhe rebelët në jug që bëjnë thirrje për ndarje të vendit. Analistët thonë se të gjithë këta faktorë e bëjnë Jemenin një terren tërheqës rekrutimi për al-Kaidën në gadishullin Arabik, nyja më aktive e rrjetit terrorist të al-Kaidës.

Para një viti, ditën e Krishtlindjes, një person u përpoq të rrëzonte një avion amerikan me eksplozivë të fshehur në të brendshme. Al-Kaida në Jemen, që i kishte dhënë eksplozivët, akuzohet gjithashtu për një komplot në tetor për dërgim bombash në avionë amerikanë transporti. Xhon Brenan është zyrtari më i lartë i kundër-terrorizmit në Shtëpinë e Bardhë.

“Edhe po të mos kishte kërcënime ndaj sigurisë sonë me burim nga Jemeni, rrethanat do të ishin mëse të vlefshme për vëmendjen e Amerikës. Jemeni është i rëndësishëm. Populli i Jemenit, është i rëndësishëm për ne”.

Duke pasur parasysh këtë synim, Shtetet e Bashkuara e rritën ndihmën për Jemenin tre herë, duke e çuar në 300 milionë dollarë. Bëhet fjalë për një rritje prej 1 mijë e 200 për qind në krahasim me 2008-ën, kur kjo shumë ishte 22 milionë.

Mohamed al-Basha, i ambasadës së Jemenit në Uashington thotë se vendi i tij po sheh përtej Uashingtonit.

“Ne nuk i kemi sytë vetëm nga Shtetet e Bashkuara për fonde. Ky është një problem me të cilin duhet të merren partnerë rajonalë dhe ndërkombëtarë”.

Christofer Bucek ka shkruar gjerësisht për Lindjen e Mesme. Ai thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të ofrojnë më shumë.

“Përmasat e angazhimit amerikan nuk përputhen me retorikën dhe rëndësinë që Jemeni paraqet për sigurinë e brendshme të Amerikës”.

Bucek thotë se siguria u rrezikua së fundmi nga Wikileaks. Një informacion sekret i bërë publik nga faqja e internetit, nxorri në pah se arsenali bërthamor i Jemenit ishte lënë i pasiguruar për një javë. Ndërsa sipas një informacioni tjetër sekret, presidenti Ali Abdullah Saleh mori përgjegjësinë për goditjet ajrore ndaj al-Kaidës që në fakt ishin kryer nga Shtetet e Bashkuara.

Bucek thotë se al-Kaida në Gadishullin Arabik do t’i përdorë këto të dhëna për të rekrutuar.

“Me siguri që kjo do të përdoret nga al-Kaida në Gadishullin Arabik për të treguar se regjimi nuk po vepron në favor të popullatës dhe se kjo nuk është një qeveri legjitime”.

Por Brenan argumenton se al-Kaida shtrembëron gjithçka për t’i shërbyer kauzës së saj.

Ndërkohë, shumica e të ndaluarve që kanë mbetur në Guantanamo janë jemanas. Brenan thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë të dhëna se tetë jemenasit që janë riatdhesuar nga Guantanamo, i janë rikthyer terrorizmit.

Analistët bien dakord se e vetmja politikë që mund të funksionojë në Jemen është një kombinim i theksit tek siguria dhe reformat, përfshirë ato ekonomike, sociale dhe politike.

Shtetet e Bashkuara e shtuan ndihmën për vitin 2010. Ekspertët thonë se për të pasur sukses duhen edhe më shumë fonde në 2011.

XS
SM
MD
LG