Lidhje

Organizatat studimore amerikane mbulojnë një spektër të gjerë pikëpamjesh filozofike


Organizatat studimore amerikane mbulojnë një spektër të gjerë pikëpamjesh filozofike
Organizatat studimore amerikane mbulojnë një spektër të gjerë pikëpamjesh filozofike

Uashingtoni është plot me organizata kërkimore, të shpërndara ideologjikisht në të gjithë spektrin politik, që nga neutralet e deri tek ato me baza të pastra idologjike. Disa nga këto organizata janë të specializuara në fusha të caktuara, si problemet sociale, ekonomike apo të mbrojtjes. Të gjitha ofrojnë opinione lidhur me politikat dhe aspektet e qeverisjes. Në pjesën e dytë të serisë së reportazheve mbi këtë temë, ju sjellim një analizë të spektrit filozofik që përfaqësojnë këto organizata:

Uashingtoni është një qytet i mbushur me opinione, për thuajse çdo temë të imagjinueshme. Shumë nga këto opinione lindin nga organizatat kërkimore, që janë bërë pjesë e pandashme e procesit politik amerikan.

Disa nga këto organizata i analizojnë çështjet në konteksin e bindjeve të caktuara politike apo sociale. Të tjera qëndrojnë të shkëputura nga vija politike dhe ofrojnë thjesht fakte që u shërbejnë politikanëve në marrjen e vendimeve.

Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara John Bolton, i cili tani punon në organizatën studimore Instituti American Enterprise, thotë se organizatat studimore dallojnë nga njëra-tjetra si nga metodologjia ashtu edhe nga orientimi politik:

"Ka një dallim të madh mes institucioneve të ndryshme. Disa bazohen në interpretime filozofike. Disa punojnë për qeverinë në bazë të marrëveshjeve kontraktuale me administratën për çështje të ndryshme. Të tjera, si Instituti American Enterprise, Brookings, apo Heritage kanë financim plotësisht të pavarur nga qeveria".

Pjesa më e madhe e këtyre institucioneve kanë statusin e organizatave jofitimprurëse. Ata sigurojnë fonde për operim nga grante që ofrojnë fondacione bamirëse, individë që besojnë në misionin e organizatës apo korporata që sigurojnë ulje taksash për kontributet e tyre.

Jeffrey Hiday i Korporatër RAND thotë se megjithëse ky institucion merr një pjesë të fondeve nga qeveria amerikane dhe sektori privat, ai ruan me ngulm neutralitetin në analizën që u bën çështjeve. Ai thotë se kjo ndihmon për ruajtjen e kredibilitetit të punës kërkimore dhe rekomandimeve të organizatës:

"Ajo që është kryesorja – ne përpiqemi të qëndrojnë në mes të spektrit. Ne analizojmë faktet në mënyrë objektive, me besimin se kjo do të na çojë drejt një rezultati plotësisht jashtë ideologjisë. Po e theksoj përsëri – ne përqendrohemi tek faktet dhe analiza objektive. Nuk jemi as të djathtë, as të majtë. Biles, na sulmojnë si e djathta, ashtu edhe e majta”.

Por, për disa organizata studimore, përcaktimi i fakteve të një çështjeje është vetëm fillimi. Pastaj ata dalin jashtë rolit tradicional akademik duke u bërë aktivistë të një çështjeje, shpjegon Profesor Mark Rom i Universitetit Georgetown:

"Këto organizata nuk bëjnë vetëm studime. Ato gjithashtu e reklamojnë këtë studim, pra bëhen në një lloj mënyre lobistë. Studiuesit e tyre takohen me anëtarë të Kongresit, me zyrtarë të administratës, të cilëve u paraqesin faktet që kanë zbuluar dhe theksojnë qëndrimin që duhet mbajtur, masat që duhen marrë. Pra e kapërcejnë rolin e studiuesit dhe bëhen tregtarë. Kanë në mendje një ide që duan t’ia shesin dikujt”.

Profesor Rom thotë se shembuj të këtij aktiviteti mund të gjenden tek disa organizata hulumtuese që përqendrohen tek çështje sociale, mjedisi dhe çarmatimi bërthamor.

Për të zgjidhur konfliktin e mundshëm të një organizate që kryen njëkohësisht studime dhe aktivizëm, disa prej institucioneve i ndajnë këto procese. Një prej tyre është Qendra për Përparim Amerikan. Shefja e Operacioneve Neera Tanden thotë se një pjesë e këtij institucioni operon si një organizatë tradicionale studimore:

"Kjo pjesë është e përqendruar në diskutimet mes studiuesve lidhur me sfidat që ka përpara vendi dhe zgjidhjet e mundshme. Pra kjo pjesë e organizatës është e angazhuar në këtë proces analize. Por ekziston edhe Fondi për Përparimin Amerikan, që është në fakt një organizatë aktiviste, e përqendruar në reklamimin përmes medias të ideve që ka ngritur Qendra për Përparim Amerikan, në prezantimin e tyre në Kongres, në shtete të ndryshme dhe në Shtëpinë e Bardhë. Ne jemi të angazhuar në nxitjen e këtyre ideve në një formë më progresive”.

Përveç punës studimore dhe rekomandimeve për çështje të ndryshme, këto institucine kanë edhe një tjetër rol në Uashington. Ashtu si në rastin e Ambasadorit Bolton, ato ofrojnë një vend ku njerëz me përvojë të rëndësishme në administrata të mëparshme, të mund të vazhdojnë punën për tema të politikave shtetërore.

XS
SM
MD
LG