Lidhje

Organizatat studimore dhe procesi politik në Shtetet e Bashkuara

  • Jeffrey Young

Organizatat studimore në Uashington japin opinione e nxjerrin raporte mbi çështje të politikave shtetërore për ligjvënësit dhe zyrtarët e administratës. Por ato kryejnë edhe një tjetër funksion. Këto organizata punësojnë zyrtarë të administratave të mëparshme që shpesh kthehen në poste zyrtare, kur rizgjidhet partia e tyre. Në reportazhin e tretë të serialit mbi organizatat kërkimore, do të ndalemi pikërisht tek këta individë që kalojnë nga sektori shtetëror në atë studimor, përmes të ashtu-quajturave dyert rrotulluese.

Është fillimi i një administrate të re dhe Uashingtoni zien me ndërrimin e personelit të administratës. Njerëz që punonin për presidentin e mëparshëm kanë mbledhur sendet vetjake dhe janë larguar nga zyrat. Ata që do t’i zëvendësojnë në shumë raste vijnë nga organizata kërkimore në Uashington.

Faktikisht, ky ndërrim armatash është një fakt i njohur i marrëdhënies mes qeverisë dhe organizatave kërkimore. Ashtu si tërheq administrata individë nga radhët e studiuesve, ashtu edhe organizatat kërkimore mbushin radhët e tyre me ish-zyrtarë të administratave.

Ish-ambasadori amerikan pranë Kombeve të Bashkuara Xhon Bolton ka qenë në të dyja anët e procesit. Pasi punoi në administratën e Presidentit Ronald Reagan dhe atë të Presidentit Xhorxh Bush në vitet 1980 dhe në fillim të 1990, ai u përfshi në Institutin American Enterprise si nënpresident i kësaj organizate. Kur Xhorxh Bush erdhi në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2001, Xhon Bolton u rikthye në administratë si Nënsekretar Shteti dhe më pas ambasador. Në fund të administratës së Presidentit Bush, ai u kthye në Institutin American Enterprise.

Ish-Sekretari i Shtetit Henry Kissinger punon në një tjetër organizatë kërkimore, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Në këtë qendër punon edhe ish-ambasadori pranë Kombeve të Bashkuara, dhe në Afganistan, Zalmay Kalilzad. Shembuj të ngjashëm mund të gjenden edhe në organizata të tjera në Uashington.

Ambasadori Bolton thotë se ky është një aspekt normal dhe i logjikshëm i procesit politik në Uashington:

“Për njerëz si unë, që kanë shansin të kthehen për të punuar në një organizatë kërkimore, kjo punë na jep mundësi të rikarikojmë bateritë intelektuale. Është një mundësi për të analizuar politikat shtetërore pa pasur mbi supe barrën e marrjes së vendimeve, pa pasur nevojë t’i diskutosh politkat në kontekstin qeveritar. Nga pikëpamja e efektivitetit të përgjithshëm të qeverisë amerikane, ky është një kontribut shumë i rëndësishëm i organizatave studimore”.

Në Qendrën për Përparim Amerikan, Shefja e Operacioneve Neera Tanden thotë se pikërisht largimi nga pushteti ishte shkaku që çoi në themelimin e organizatës së saj:

“Në administratën Klinton, unë isha një ndër këshilltaret e Zonjës së Parë Hillari Klinton. Kur ajo konkuroi për Senat, unë vazhdova të punoj për të. Por më pas, kur demokratët humbën në zgjedhje në vitin 2000, Zonja Klinton, Xhon Podesta dhe ish-Presidenti Klinton e panë qartë se mungonte një organizatë që punonte në mënyrë më progresive për një gamë të gjerë çështjesh. Pikërisht për këtë arsye, së bashku me Xhon Podestën vendosëm të krijonim Qendrën për Përparim Amerikan”.

Shumë organizata studimore në Uashington punësojnë një numër ish-zyrtarësh nga administrata të mëparshme. Por e ashtu-quajtura ‘derë rrotulluese’ është më e vogël dhe më pak aktive në Korporatën RAND, shpjegon Xefri Hiday i kësaj organizate:

“Në ndërrimin e fundit të administratave, kemi humbur rreth 10 studiues që tani punojnë për administratën Obama. Kemi fituar disa studiues nga ish-administrata Bush. Por të mos harrojmë - këto janë shifra të vogla krahasuar me 900 studiues që kemi. Ne jemi organizatë e madhe”.

Hartimi dhe zbatimi i politikave është një ndër funksionet themelore të qeverisë. Procesi politik është i ndërlikuar dhe kërkon njerëz me përvojë, të cilët i njohin hollësisht nevojat. Për këtë arsye, organizatat kërkimore kanë qenë dhe mbeten një pjesë e rëndësishme, biles esenciale e kësaj përpjekjeje.

XS
SM
MD
LG