Lidhje

SHBA shpresojnë që tregtia e lirë të krijojë vende të reja pune


SHBA shpresojnë që tregtia e lirë të krijojë vende të reja pune

SHBA shpresojnë që tregtia e lirë të krijojë vende të reja pune

Presidenti amerikan Barak Obama u përqëndrua në çështjen e tregtisë dhe krijimit të vendeve të punës gjatë turneut në Azi. Administrata e tij ka vënë si objektiv hapjen e dy milionë vendeve të reja të punës për amerikanët. Njëra prej mënyrave përmes së cilës administrata e presidentit Obama shpreson të krijojë vende të reja pune është përfundimi i marrëveshjes për tregëti të lirë me Korenë e Jugut, e cila gjatë vizitës së Presidentit nuk arriti të nënshkruhej dhe marrëveshjeve me vendet e tjera të Azi-Paqësorit.

Kompania Ellicot Dredges në Baltimore prodhon paisje për dragat, anijet që përdoren për thellimin e lumenjve ose porteve dhe mbështet tregëtinë e lirë.

“Ellicot është një kompani e cila u ndërtua nga tregtia. Ne kemi ndërtuar të gjitha dragat që janë përdorur për hapjen e Kanalit të Panamasë dhe që nga ajo kohë ne kemi qenë të interesuar për tregtinë.”

Presidenti i kompanisë Peter Bowe thotë se kompania Ellicot duhet të kërkojë mundësi të reja kudo në botë ku ka kërkesa për draga.

“Një dragë si kjo javën tjetër do të eksportohet në Meksikë për kontrollin e përmbytjeve. Kjo tjetra do të dërgohet në Brazil për një minierë alumini, kurse ajo tjetra do të eksportohet në Nigeri për t’u përdorur në një minierë rëre.”

Zoti Bowe thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të miratojnë marrëveshjen për tregti të lirë me Korenë e Jugut dhe me vendet e tjera. Miratimi i marrëveshjes do të eliminonte tarifat e importit ndaj dragave të kompanisë së tij që arrijnë në 8 përqind. Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut kanë nënshkruar marrëveshjen në vitin 2007, por ajo nuk u miratua nga kongresi amerikan për shkak të kundërshtimeve nga industria e mishit dhe industria e prodhimit të makinave. Ka shqetësime se Shtetet e Bashkuara po mbeten pas në këtë drejtim.

Një numër gjithnjë e më i madh i vendeve aziatike po nënshkruajnë marrëveshje dy palëshe mbi tregëtinë e lirë. Në tetor, Bashkimi Evropian nënshkroi marrëveshjen mbi tregtinë e lirë me Korenë e Jugut e cila do të hyjë në fuqi në korrik të vitit të ardhshëm.

Zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit thonë se është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të jenë të sukseshme në krijimin e lidhjeve të forta ekonomike me Korenë e Jugut dhe vendet e tjera të Azisë.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton, ishte në Malajzi në fillim të nëntorit, pas takimit me udhëheqësit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore.

“Është befasuese për disa njerëz se Shtetet e Bashkuara bëjnë më shumë tregëti me vendet e ASEAN-it sesa me vendet e tjera të Azisë.”

Shtëpia e Bardhë thotë se gjatë vizitës së presidentit Obama në Indi, kompanitë indiane dhe kompanitë amerikane kanë diskutuar ose nënshkruar marrëveshje me vlerë prej 15 miliard dollarësh që do të mbështesin krijimin e më shumë se 50 mijë vendeve të punës në Shtetet e Bashkuara.

Daniel Ikenson nga Instituti Cato thotë se po krijohet një situatë e volitshme në Uashington për nënshkrimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë.

“Disa anëtarë të kongresit dhe disa zëra brenda administratës po thonë se ne kemi mbetur mbrapa, prandaj ne duhet të miratojmë marrëveshjen me Korenë e Jugut.”

Analistët thonë se avantazhi i republikanëve në zgjedhjet e fundit për kongres duhet ta lehtësojë miratimin e marrëveshjeve për tregtinë e lirë, por pengesat do të mbeten.
Kompania për prodhimina e makinave Ford ka publikuar reklama në gazetat e mëdha amerikane duke ngritur zërin kundër marrëveshjes tregëtare me Korenë e Jugut. Analistët thonë se disa demokratë do të dëshironin që presidenti të fokusohet në marrëveshje të tjera tregtare e jo në marrveshje të tilla si ajo me Korenë e Jugut e cila u kundërshtua nga administrata e mëparshme.

Ndërkohë Peter Bowe i kompanisë Ellcott Dredges thotë se tregtia nuk duhet të jetë çëshjte partiake.

“Unë jam i shqetësuar sepse është e qartë se zgjedhjet pasqyruan shqetësimet për punësimin dhe kongresi duhet ta kuptojë se eksportet krijojnë vende të reja pune dhe marrëveshjet për tregtinë e lirë të cilat promovojnë eksportet ndihmojnë në krijimin e vendeve të reja të punës, e jo e kundërta.”

Nuk është e qartë nëse tregtia do të bëhet temë debati pas zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG