Lidhje

Shqiptarët përfshihen në qeverinë e re të Malit të Zi

  • Ali Salaj

Koalicioni “Shqiptarët të vendosur”, i cili në zgjedhjet e 16 tetorit mori një vend në Parlamentin e Malit të Zi, arriti sot marrëveshje me Partinë Demokratike Socialiste të kryeministrit malazez Milo Gjukanoviq për bashkëqeverisje në Malin e Zi.

Marrëveshja u arrit pasi koalicioni shqiptar dhe Partia Demokratike Socialiste, që fitoi më shumë vota në këto zgjedhje, vendosën që qyteti i Tuzit me shumicë shqiptare në Malësi, të shpallet komunë e plotë dhe e pavarur deri në pranverë të vitit të ardhshëm.

Po ashtu u vendos që kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmet Zenka që ishte pjesë e koalicionit, të marrë postin e ministrit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave në Qeverinë e Mali të Zi.

Ndërkohë, deputeti i koalicionit “Shqiptarët të vendosur”, Genci Nimanbegu është zgjedhur nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi me mbështetjen e 42 votave nga 81 vota që ka Parlamenti. Zoti Nimanbegu e bëri në gjuhën shqipe betimin para deputetëve.

Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” përbëhet nga tre partitë politike shqiptare: Forca, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare.

Pas bisedimeve me përfaqësuesit e pakicave, Partinë Boshnjake , Partinë Kroate dhe koalicionin shqiptar, mandatari për formimin e Qeverisë, Dushko Markoviq, pritet që në fillim të javës së ardhshme të shpallë zyrtarisht Qeverinë e re të Mal të Zi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG