Lidhje

Mbështetje e madhe e shqiptarëve për integrimin në BE


Qytetarët ruajnë për të disatin vit rradhas një gadishmëri dhe dëshirë të lartë që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Europian. Studimi i porsapublikuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, nxorri që 85 për qind e shqiptarëve janë gati të votojnë pro antarësimit të vendit në BE. Sipas sondazhit, ata presin nga ky antarësim që niveli i jetesës do të përmirësohet, që punësimi i tyre do të rritet, që ligjet do të zbatohen, varfëria dhe korrupsioni do të luftohen më shumë dhe në tërësi demokracia shqiptare do të forcohet.

Nga ana tjetër, sondazhi nxorri që mbi gjysma e shqiptarëve janë të vetëdijshëm se vendi nuk është ende gati për këtë antarësim, megjithatë BE duhet ta pranojë Shqipërinë dhe se kjo do të ndodhë rreth vitit 2020. Drejtuesi i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Albert Rakipi, thotë që krahas dëshirës për të arritur Europën, shqiptarët janë realistë për gjendjen e tyre në këtë proces.

Studimi tërhoqi vëmendjen e shumë diplomatëve dhe analistëve, të cilët vlerësuan vendosmërinë e opinionit shqiptar pro BE në ndonjë rast edhe më shumë se ndonjë vend antar, pavarësisht nga krizat, vonesat dhe zhvilime të tjera të padëshiruara. Drejtuesi i Lëvizjes Europiane të Shqipërisë, Gledis Gjipali, thotë që, pavarësisht nga përgjigja e dhjetorit për kandidaturën e Shqipërisë BE do të sjellë vitin tjetër këtu disa projekte zhvillimi në bujqësi, në infrastrukturë dhe në mjedis. Por thelbi mbetet përparimi i vetë shqiptarëve drejt BE-së.

Por cili është mendimi i zotit Gjipali mbi përfundimet e sondazhit të fundit? Sipas tij, BE kërkon reforma me përkushtim dhe mirëkuptim nga vetë shqiptarët, si dhe përballim të kostove të tyre. Ai thotë se prapa kësaj mbështetjes së madhe qëndron edhe mungesa e informacionit për detyrimet e Shqipërisë në raport me Europën.

Këshilli i ministrave të BE pritet të mblidhet në dhjetor për të vendosur dhënien ose jo të statusit kandidat për Sahipërinë, apo shtyrjen deri në prnaverë. Deri tani diplomacia e vendeve të rëndësishme antare ka dhënë reagime pozitive, por nuk mungojnë edhe vendet skeptike për Shqipërinë. Megjithëse komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit këtë radhë. Skeptikët europianë kërkojnë që Shqipëria të tregojë rezultate konkrete kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.

XS
SM
MD
LG