Lidhje

Kurti: Bisedimet kundër interesave të Kosovës


Në një intervistë me Radion Evropa e Lirë kryetari i partisë Vetvendosja, Albin Kurti thotë se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë të padrejta dhe prekin sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Zoti Kurti i njohur për qëndrimet e tij opozirtare, thekson se politikat e Bashkimit Evropian synojnë te mos e lejojne Kosovën të bëhet shtet i dështuar, në vend që të përqëndrohen në forcimin e shtetit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË: Zoti Kurti, kemi dëgjuar disa herë qëndrimin tuaj në lidhje me bisedimet Prishtinë - Beograd dhe trajtimin e çështjes së veriut. Megjithatë, të mërkurën dëgjuam edhe një thirrje nga Brukseli që të fillojnë bisedimet pikërisht për këtë çështje. Si i komentoni dhe si i keni pritur këto thirrje nga ana e zyrtarëve të Bashkimit Evropian?

ALBIN KURTI: Në vitin 2005 bëheshin bisedimet për çështje teknike në kuadër të standardeve para statusit dhe ato ishin vetëm hyrja para bisedimeve politike që në vitin 2006 dhe 2007 u zhvilluan në Vjenë. Modeli i njëjtë po përsëritet edhe tash. Në vitin 2011 dhe 2012 kishim bisedime për çështje teknike në Bruksel dhe është e qartë që ato kanë paraqitur vetëm hyrjen për bisedimet politike për veriun.

Këto bisedime janë të padrejta, joparimore dhe të dëmshme, sepse janë bisedime për çështje të brendshme të Kosovës dhe pa kurrfarë kushtesh për Serbinë.

Bashkimi Evropian ka luajtur tepër gjatë, tepër shumë, në dallimin midis Nikolliqit dhe Tadiqit dhe besoj që e ka zvogëluar dallimin nuk u demokratizua Nikoliqi, por u radikalizua Tadiqi dhe në fund të kësaj ecjeje natyrisht që fitoi radikali Nikoliq.

Për mua ka qenë shumë e çuditshme se si zëdhënësja Maja Kocijançiq më 21 maj të këtij viti, kur u zgjodh Nikoliqi president në Serbi, tha që ne presim vazhdimin e dialogut. Për mendimin tim kjo është një deklaratë shumë e padrejtë për shkak se gatishmëria e Serbisë për të dialoguar po shfaqet si një lloj amnistie për krimet, të cilat i ka bërë Serbia në të kaluarën, por edhe për krimet që vazhdon t’i bëjë në Kosovë nëpërmjet strukturave ilegale shtetërore. Bisedimet e Kosovës me Serbinë nuk po e ndryshojnë Serbinë, por po e ndryshojnë Kosovën dhe atë për të keq.

RADIO EVROPA E LIRË: Ku qëndron rreziku i këtij dialogu sa i përket pjesës veriore pasi që kryesisht thirrjet ndërkombëtare fokusohen në atë pjesë të trazuar?

ALBIN KURTI: Kosovës, nëpërmjet këtyre bisedimeve me Serbinë, nuk i kërcënohet lufta e Bosnjës, por i kërcënohet paqja e Bosnjës, e cila është jo më pak famëkeqe. Synimi i Beogradit është sajimi i një entiteti territorial autonom në veri të Kosovës, nëpërmjet të cilit do të mund ta bënte Kosovën një shtet jofunksional dhe së shpejti edhe shtet të dështuar. Kjo nuk duhet të lejohet kurrsesi dhe mendoj që është koha e fundit që Brukseli të bëjë një tërheqje strategjike, të mendojë dhe të rimendojë për qasjen që e ka pasur në Ballkanin Perëndimor, e posaçërisht për Kosovën e Serbinë, ta ndryshojë paradigmën e stabilitetit afatshkurtër politik drejt demokracisë, zhvillimit dhe drejtësisë.

Ne kemi nevojë për forcimin e shtetit të Kosovës, për sovranitet të shtetit, për zhvillim ekonomik, e jo për bisedime me Serbinë, gjë që i konvenon vetëm Serbisë dhe bëhet në kurriz të Kosovës. Mendoj që Kosova dhe Serbia para se t’i normalizojnë marrëdhëniet, duhet të normalizohen si shtete. Kjo do të thotë që Kosova të bëhet një shtet i zhvilluar me integritet territorial, ndërkaq Serbia t’i nënshtrohet një procesi të denazifikimit, i ngjashëm çfarë kishim në Gjermaninë pas vitit 1945.

RADIO EVROPA E LIRË: Mirëpo, jo vetëm zyrtarët e Brukselit, por edhe Qeveria e Kosovës dhe presidentja kanë shprehur gatishmërinë për këtë dialog. A do të thotë kjo që vetëm zëra nga opozita i kundërshtojnë këto bisedime?

ALBIN KURTI: Ne i bëjmë thirrje Brukselit që të mos e shfrytëzojë rastin dhe ta keqpërdorë Qeverinë e korruptuar dhe të papërgjegjshme të Kosovës, e cila duke qenë e korruptuar dhe e kriminalizuar, është e gatshme të hyjë në çfarëdo pazaresh për shtetin e Kosovës, nëse një gjë e tillë i premton edhe ca kohë më shumë në pushtet.

Brukseli do të duhej të mos udhëhiqej nga logjika gjeopolitike afatshkurtër, por nga nevoja e popujve, kombeve, shteteve që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian mbi parimet e lirisë, barazisë dhe drejtësisë.

RADIO EVROPA E LIRË: Të kthehemi sërish te çështja e veriut... Flisni për një dialog të padrejtë, por cilat janë pasojat konkrete për Kosovën - sovranitetin dhe integritetin e saj?

ALBIN KURTI: Pas fusnotës që iu vendos emrit të Kosovës, me ç’rast u hoq fjala Republikë dhe u kontestua shtetësia, tash po fillon të kontestohet tërësia territoriale e Kosovës dhe vetë karakteri i shtetit të Kosovës si shtet demokratik dhe sovran.

Për Kosovën po bëhet palë Serbia, pas dimensionit simbolik, formal, e nominal siç është emri, edhe në dimensionin shumë substancial e përmbajtjesor, siç është çështja e territorit dhe karakterit të shtetit. Për Kosovën tashmë nuk ekziston vetëm Kosova, por ekziston edhe Kosova edhe Serbia dhe dialogu i këtillë po e kthen Serbinë në Kosovë në aspektin politik dhe ndërkombëtar.

Edhe ashtu Serbia na luftonte gjithandej në arenën ndërkombëtare, por ajo tash po bëhet një zë që duhet të pyetet për ecjen e mëtutjeshme të shtetit të Kosovës. Ky është dëmi i parë dhe më i madh.

Dëmi i dytë është që Kosova nuk po shihet më si një shtet, i cili do të mund të forcohet, por si shtet që duhet të mos dështojë. Kjo po synohet në rrugën e gabuar në bisedime me Serbinë, që mendoj se është pikërisht rruga ku shteti i Kosovës do të bëhej shtet i dështuar.

Qytetarët e Kosovës nuk e duan një gjë të tillë. Ata, në fushatën zgjedhore të vitit 2010, nuk kanë dëgjuar fjalë nga partia që është sot në pushtet se do të bisedohet me Serbinë, se do të flitet për emrin e Kosovës, për çështjet e saj të brendshme, për territorin, për veriun e Kosovës. Përkundrazi ata kanë dëgjuar vetëm fjalë se si Kosova do të bëhet shtet i zhvilluar, i qëndrueshëm, sepse është e vetëmjaftueshme, dhe këtë do ta bëjë me partnerët ndërkombëtarë, e jo me Serbinë. Pra, një qasje e tillë, një rrugë e tillë nuk ka kurrfarë miratimi te qytetarët e Kosovës dhe është plotësisht jolegjitime.

RADIO EVROPA E LIRË: Jeni dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie me Jashtë. Si e keni pritur gatishmërinë e presidentes Atifete Jahjaga për t’u takuar me presidentin e sapozgjedhur Nikolliq?

ALBIN KURTI: Është qëndrim shumë i gabuar i presidentes Jahjaga që të jetë e gatshme të takohet me kryetarin e porsazgjedhur të Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili ka qenë bashkë në qeveri me Milosheviqin dhe që preferon ta ketë për partner zëdhënësin e Milosheviqit. Në fakt, ne po kthehemi te konjuktura e viteve ’90 që sundonte në Serbi dhe e cila para se të bënte luftë që rezultoi me gjenocid në Kosovë, e instaloi aparteidin për më se një dekadë.

Për mua ka qenë shumë e çuditshme një deklaratë e tillë e presidentes Jahjaga, aq më tepër kur e di që ajo vjen nga një komunë e Kosovës, si Gjakova, e cila ka pësuar aq shumë nga lufta e fundit - si për nga numri i personave të pagjetur, po ashtu edhe për nga vrasjet masive e dhunimet mizore që i ka përjetuar ajo popullsi atje. Besoj që presidentja Jahjaga me një qëndrim të këtillë nuk i ndihmon as Kosovës dhe as vetes.

RADIO EVROPA E LIRË: Është aktuale çështja e reformave të brendshme zgjedhore ditëve të fundit dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e plotë të presidentes. Cili është qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë aspekt? A mund të përfundojë ky proces i filluar i reformave apo do të nevojitet një marrëveshje e re?

ALBIN KURTI: Marrëveshja e vitit të kaluar ndërmjet Thaçit, Pacollit dhe Mustafës ishte marrëveshje mbikushtetuese dhe jashtë-institucionale. Por, në të njëjtën kohë ishte edhe shprehje e shkurtpamësisë së LDK-së, e cila duket që u përqendrua tepër në tekstin e marrëveshjes, por jo edhe në letrën ku ishte shkruar ajo marrëveshje. Kjo ishte letër për një përdorim. Prandaj sot ndodhemi në një situatë ku praktikisht shihet qartë, ashtu siç e ka parashikuar Vetëvendosja, se reforma zgjedhore, marrëveshja për presidenten për 2 vjet e gjysmë, reforma sa i përket kompetencave të presidentit kanë qenë vetëm një maskë për vjedhjen masive të votave në dhjetor dhe janar të viteve 2010 dhe 2011.

Ajo marrëveshje ka pasur për synim që t’ia përçojë legjitimitetin absolutisht të munguar të Qeverisë Thaçi dhe e kemi ditur se nuk është synimi për kurrfarë reformash për të mirë të Kosovës, por veçse që kjo qeveri të forcohet, pavarësisht vjedhjes përmes së cilës kishte ardhur në pushtet.

Para se të diskutohen kompetencat e presidentit, duhet të diskutohet karakteri i republikës sonë dhe para se të diskutohet për reformën zgjedhore, duhet të kemi me qindra e mbase edhe mijëra njerëz prapa grilave, që e organizuan dhe ekzekutuan atë vjedhje të votave që ishte e pashembullt në Kosovën e pasluftës dhe mbase edhe më gjerë.

Organizata për monitorimin e zgjedhjeve ENEMO atëbotë pati thënë se deformimi i rezultatit të vullnetit të votuesve shkon deri në 38 për qind, pra nuk është 3,8 për qind! Kjo gjë e mbyt edhe konceptin e statistikës se lëre më demokracinë, votën dhe zgjedhjen e lirë.

Në anën tjetër, duhet të adresohet organizimi i vjedhjes së votave në zgjedhjet e vitit 2010, edhe nga aspekti i faktit që kjo vjedhje ishte e centralizuar - nuk kishin faj vetëm hallkat e fundit në zinxhirë që ushtronin vjedhjen, por kjo ishte vjedhje me paramendim, e planifikuar dhe e centralizuar dhe shkonte deri te maja e partisë në pushtet.

RADIO EVROPA E LIRË: Shihet se keni pakënaqësi të shumta me qeverisjen, politikat aktuale. Por a keni gjetur ju si opozitë mbështetës, partnerë, nga pjesa tjetër e partive opozitare, që t’i adresoni këto shqetësime - qoftë përmes Kuvendit apo organeve tjera?

ALBIN KURTI: Subjektet që janë opozitë në Kuvendin e Kosovës, nuk mund të jenë bashkë përveç faktit që nuk janë në pozitë. Ne kemi aktivitete të ndryshme, mënyra të ndryshme, qëllime të ndryshme, sidomos koncepte e programe të ndryshme. Por, natyrisht që jo rrallë edhe kemi bashkëpunuar në Kuvendin e Kosovës për çështje që qartazi kanë shkuar kundër logjikës dhe mendjes së shëndoshë, e që kanë qenë orvatje të kësaj qeverie të përfitojë shpejt e shpejt në dëm të Kosovës.

Pra, për çështje të caktuara kemi bashkëpunuar, por kjo nuk i eliminon dallimet koceptuale ndërmjet nesh.

Në anën tjetër, ne jemi subjekt që asnjëherë s’kemi qenë në qeverisje dhe në Vetëvendosje kemi aktivistë e deputetë, të cilët i karakterizon ndershmëria, patriotizmi, e në të njëjtën kohë puna. Kemi bashkëpunuar me individë të veçantë gjithashtu në Kuvend, dhe kemi vlerësim të lartë për ata. Por, është interesante si edhe deputetët, të cilët janë në Kuvendin e Kosovës, me mendje të pavarur nga subjektet e tyre opozitare, janë më të mirët, më të drejtit.

Ky material u publikua fillimisht në RFE/RL

Trego komentet

XS
SM
MD
LG