Lidhje

Shitja e Albpetrol, Berisha: proces transparent

  • Armand Mero

Javën e shkuar fitues u shpall një konsorcium amerikan, Vetro Energy, i cili ofroi 850 milionë euro. Konsorciumi me seli në Singapor

Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha vlerësoi sot procesin e privatizimit të Albpetrol, për të cilin javën e shkuar ministria e Ekonomisë shpalli si fitues një konsorcium amerikan Vetro Energy, i cili ka ofruar 850 milion euro. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar democrat kryeministri e vlerësoi atë si një proces transparent i cili nuk ka lidhje me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, duke saktësuar se privatizimi nuk ka të bëjë me shitjen e pasurive nëntokësore por me të drejtën për shfrytëzimin e tyre

Qeveria shqiptare do të duhet të zyrtarizojë së shpejti fituesin e garës për privatizimin e Albpetrolit, pasi komisioni për vlerësimin i dha pikët maksimale konsorciumit amerikan Vetro Energy. Oferta e paraqitur prej tij ishte shumë më e lartë se ato të konkurruesve të tjerë që u kualifikuan, 850 milion euro. Megjithatë kryeministri Sali Berisha, ndonëse bëhet fjalë për privatizimin më të shtrenjtë në historinë e vendit, foli me tone të përmbajtura pa ndonjë entuziazëm të vecantë: “Dua të përgëzoj fituesin, kompaninë e shpallur fituese, e cila plotësoi me seriozitetin më të madh dhe me transparencë të plotë, kërkesat e paraqitura nga ekipi i vlerësimit të ofertave dhe kompania konsulente”.



850 milionë euro janë një shifër e majme në kushtet e vështirësive në mbledhjen e të ardhurave dhe në disa media, rezultati I privatizimit u komentua si një avantazh i qeverisë përpara zgjedhjeve të ardhshme. Por kryeministri e hodhi poshtë një hipotezë të tillë, ndërsa duke përgjigjur akuzave të opozitës i mëshoi faktit se nuk po shiten pasuritë e nëntokës shqiptare, por po jepen vetëm në shfrytëzim.

Në hapjen e ofertave tre javë më parë, konsorciumi amerikan u prezantua nën emrin Vetro Silk Road Equity. Ne media u hodhën dyshime mbi seriozitetin e tij duke qenë se të vetmet të dhëna që mund të gjendeshin ishin për Silk Road Equity, një fond investimesh. Por në prezantimin e përfundimeve të garës ministria e Ekonomisë njoftoi se emri i konsorciumit ishte Vetro Energy, i përbërë nga Silk Road Equity me 49 përqind dhe Ypo Oil & Energy, me 51 përqind. Të dyja megjithatë u shfaqën nën emra të tjerë: Silk Road që kish siguruar një bashkëpunim me një firmë tjetër amerikane që vepronte në sektorin e Naftës, Hudellton, ndërsa Ypo me atë të një kompanie në zotërimin e saj Home Creek Energy edhe kjo nga Texasi. Megjithatë konsorciumi rezulton i regjistruar me seli ne Singapor.

Edhe lidhur me dyshimet mbi garancinë e ofertës së lëshuar nga një bankë amerikane që është larg grupit të 50 bankave më të mëdha të botës, sic ishte kërkuar, ministria e ekonomisë shpjegoi se Banka i kishte, sipas saj, aftësitë paguese dhe se konsorciumi ishte zotuar të zgjidhte një nga 50 bankat kryesore për të ngrirë në formë garancie 20 përqind të ofertës gjatë fazës së bisedimeve mbi kontratën.

Vlera e Albpetrolit duket se u rrit shumë pasi u pajis, pak para garës me tre licenca të rëndësishme, për energji elektrike, për ndërtim rafinerie nafte dhe licenca për shpërndarjen dhe tregtimin e gazit. Kjo e fundit në vecanti mund të kthehet në një rast të artë nëse do të realizohet projekti i gazsjellësit Trans Adriatic, Tap. Kryeministri Berisha tha sot se shanset janë shumë të mëdha vecanërisht pas firmosjes së marrëveshjes ndërqeveritare mes Shqipërisë Italisë dhe Greqisë: “Vendimi përfundimtar do të merret pranverën që vjen, por firmosja e këtij Memorandumi përbën mbështetje të fuqishme të koncorsiumit të Shah Deniz 2, për të vendosur në favor të gazsjellësit Trans-Adriatik, pasi ky është gazsjellësi më fizibël, më i leverdisshëm nga ana ekonomike dhe më i shkurtër dhe për rrjedhojë më i studiuar si projekt”.

Sipas kryeministrit përvec përfitimeve nga investimet për këtë vepër Shqipëria mund të ndërtojë një rrjet të saj të gazit dhe ta shfrytëzojë atë edhe për prodhimin e energjisë elektrike

Trego komentet

XS
SM
MD
LG