Lidhje

Shitja e Albpetrol drejt dështimit


Në Shqipëri ministria e Ekonomisë deklaroi sot se konsorciumi Vetro energy i cili u shpall fitues për privatizimin e ndërmarrjes shtetërore të nxjerrjes së naftës Albpetrol, nuk ka plotësuar detyrimin për të depozituar 170 milion euro, ose 20 përqind të ofertës së saj, në formën e garancisë. Zëvendës ministri i ekonomisë Sokol Dervishaj tha se kontrata nuk është nënshkruar dhe se pala shqiptare ka nisur procedurat për të marrë vlerën prej 10 përqind të depozituar në fazën e parë të procesit. Zoti Dervishaj tha se ende nuk janë përcaktuar hapat e mëtejshëm që do të hidhen për këtë proces. Nga ana e konsorciumit Vetro energy që kontrollohet nga bisnesmeni shqiptar Rezart Tac, nuk ka patur asnjë deklarim mbi situatën e krijuar.



Duket se cka u nis si një nga privatizimet më të bujshme, mund të rezultojë në një dështim të plotë. Pas dy muajsh bisedimesh, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e mundshme kohore, blerja e Albpetrolit nga konsorciumi Vetro Energy me shumën maramendëse prej 850 milion eurosh ngjan të jetë e pamundur. Ministria e ekonomisë njoftoi sot se nuk është arritur asnjë marrëveshje. “Në momentin që jemi dua te bëj me dije se nuk kemi një kontratë të nënshkruar”, deklaroi zëvendësministri Sokol Dervishaj.

Bisedimet mes palëve dhe nënshkrimi i kontratës do të duhej të ishte realizuar brenda muajit tetor, por konsorciumi kërkoi një shtyrje të afatit deri në 3 dhjetor. Gjë e cila nuk solli asgjë te re. Vlera prej 20 përqind e kontratës që duhej depozituar si garanci nuk ndodhi as pas shtyrjes: “Praktikisht deri më datë 3 dhjetor nuk ka patur një përfundim të suksesshëm të bisedimeve, pra kontrata nuk është nënshkruar dhe kompania nuk ka dorëzuar 20 përqindshin e garancisë së kontratës”, shpjegoi zoti Dervishaj.

Nuk dihen sakte arsyet e kësaj situate të krijuar. Konsorciumi Vetro Energy, i kontrolluar nga biznesmeni shqiptar Rezart Taci nuk ka bërë asnjë koment. Konsulenti ndërkombëtar Patton Bogs kishte deklaruar se aspekti financiar nuk do të ishte problem, dhe se madje edhe garancia prej 20 përqind do të bëhej në një kohë të shkurtër. Ndërsa vetë zoti Taci ishte shprehur se sapo të mbylleshin bisedimet dhe të nënshkruhej kontrata pagesa prej 850 milion eurosh do të bëhej menjëherë:“Pagesa do jetë një këst i vetëm”.

Ministria e ekonomisë sipas zotit Dervishaj ka nisur tani procedurat për të marrë garancinë prej 10 përqind: “Ka nisur procedura e kërkimit të 10 përqindshit të garancisë së ofertës, pra të vlerës prej 85 milion që kompania depozitoi në momentin e paraqitjes së ofertës së saj si të gjithë kompanitë e tjera". Kjo garanci është depozituar në një bankë amerikane. Autoritetet atëherë toleruan faktin se banka nuk ishte mes 50 më të mirave në botë sic kërkonin rregullat duke shpjeguar se ajo kishte potencial financiar.

Nuk është e qartë se si do të veprohet. Ministria tha se është e gatshme të tolerojë edhe disa ditë nëse paratë e garancisë depozitohen: "Në rast se kompania do të depozitojë garancinë e kontratës prej 20 përqindësh kemi të gjithë fleksibilitetin e nevojshëm për ta marrë në konsiderate e për t’i dhënë kompanisë shansin për të vazhduar bisedimet, natyrisht duke u keshilluar me konsulentin e duke ndjekur procedurat e nevojshme”, u shpreh zoti Dervishaj.
Tashmë pritet të merret vendimi përfundimtar nëse Vetro energy do të skualifikohet dhe më pas do të jetë qeveria që do të vendosë nëse do të vazhdojë bisedimet me firmën e kualifikuar e dyta apo do të anullojë të gjithë procedurën e tenderit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG