Lidhje

Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum


Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum
Aleanca Kundër Importimit të Plehrave mbledh firma për referendum

Veprimtarë të mjedisit dhe të shoqërisë civile po vazhdojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të mëdha të Shqipërisë të mbledhin firmat e qytetarëve për të kërkuar një referendum mbi ligjin e mbetjeve urbane, që lejon importimin e tyre në interes të industrive ricikluese. Aleanca Kundër Importimit të Plehrave ka deklaruar se do të mbledhë mbi 50 mijë nënshkrime për të kërkuar sipas Kushtetutës që qytetarët të pyeten në një referendum kombëtar nëse miratojnë apo jo importimin e mbetjeve nga shtete të tjera. Krahas mbledhjes së firmave, përfaqësues të kësaj Aleance po zhvillojnë edhe një seri takimesh me opinonin publik për të shpjeguar nga ana shkencore, ekonomike dhe sociale rëndësinë e kësaj çështjeje.

“Shqipëria të mos bëhet destinacion i riciklimeve europiane, ndërkohë që po punon të bëhet destinacion turistik ndërkombëtar”, thotë studiuesi Lavdosh Ferunaj.

Studiuesit thonë se Shqipëria ende nuk është e gatshme të hyjë në hartën europiane të riciklimeve, sepse industritë e saj ricikluese janë në hapat e tyre të para, dhe nuk munden të përpunojnë mbetjet e rrezikshme.

“Shqipëria është e papërgatitur të hyjë në riciklimin e mbetjeve të rrezikshme, si për shembull bateritë e automjeteve etj, dhe se kjo veçse do të shtojë ndotjen mjedisore, e cila do të bëhet burim sëmundjesh kancerogjene” – thotë analisti Gjergj Erebara.

Veprimtarët e Aleancës Kundër Importimit të Plehrave i kërkuan parlamentit me anë të një peticioni që të shtyhet deri në 20 vjet mundësia e këtyre importeve, derisa Shqipëria të ngrinte një industri të zhvilluar ricikluese si ajo në vendet e Bashkimit Europian. Ata theksojnë se vendet e reja antare të BE-së i dërgojnë mbetjet e rrezikshme drejt vendeve të zhvilluara antare të BE-së, sepse vetëm ato kanë industri ricikluese të fuqishme. Ndërsa “Shqipëria, që ende nuk plotëson standartet europiane të kësaj fushe, nuk ka arësye që të bëhet nismëtare dhe mikpritëse e mbetjeve europiane, kur në fakt ajo vetë duhet të përpunojë vetëm mbetjet e saj, ose edhe t’i nxjerrë ato drejt BE-së”, thotë juristja Kozara Kati.

Organizatat joqeveritare kanë disa muaj që po protestojnë kundër disa neneve që lejojnë importin e mbetjeve në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane qysh përpara se ai të miratohej nga parlamenti, sepse sipas tyre, ato nene e nxirrnin ligjin jashtë standarteve dhe dispozitave europiane. Shumica e deputetëve të koalicionit qeveritar e miratoi ligjin me vendosmëri, pa dëgjuar propozimet e ekspertëve të mjedisit, megjithë protestat e qytetarëve në oborrin e parlamentit, megjithë ngurrimin e presidentit Topi për ta nënshkruar atë, megjithë peticionin e tre mijë qytetarëve, duke siguruar kështu veçse lëndë të para për disa fabrika ricikluese që sapo janë ngritur në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG