Lidhje

Tubim kundër incidentit me kameramanin e Top Channel


Gazetarët shprehën shqetësimin për dhunën që drejtuesi i policisë ushtroi ndaj kolegut të tyre, i cili po filmonte një ngjarje sportive.

Një grup gazetarësh dhe qytetarësh të Tiranës protestuan sot në një tubim të organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë lidhur me një incident të një drejtuesi policie me një kameraman të televizonit Top Channel. Përfaqësuesit e medias shqiptare shprehën shqetësimin e tyre për dhunën që drejtuesi i policisë ushtroi ndaj kolegut të tyre, i cili po filmonte një ngjarje sportive.

Drejtuesi i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, vlerësoi ndjeshmërinë e drejtuesve të lartë të rendit, për të ndëshkuar policin e dhunshëm ndaj shtypit, por theksoi se kjo është një çështje e dinjitetit njerëzor dhe profesional të njerëzve të shtypit, të cilët tani duhet të mbrohen edhe kur shkruajnë lajme sporti.

Goditja e një kameramani nga policia gjatë kryerjes së detyrës është një ngjarje e rrallë në Shqipëri. Në përgjithësi policët, kameramanët dhe gazetarët e terrenit nuk konfliktohen gjatë ngjarjeve që ndjekin së bashku nga politika apo ekonomia. Por gazetarët janë të shetësuar se ky incident ndodhi ndërkohë që po afrohet fushata zgjedhore, e cila pritet të jetë shumë e ngarkuar për policët dhe për mediat, duke treguar se me çfarë përgatitje po e presin fushatën zgjedhore forcat e rendit.
XS
SM
MD
LG