Lidhje

Analizat afatgjata, të nevojshme për Shqipërinë dhe Kosovën

  • Keida Kostreci

Zëvendës presidenti i një firme konsultative në Shtetet e Bashkuara thotë se elitat në Shqipëri dhe Kosovë duhet të bëjnë plane afatgjata për zhvillim, duke marrë vendime të bazuara tek prirjet e kaluara dhe të dhënat konkrete. Aleksandër Dardeli, një shqiptaro-amerikan karriera e të cilit përfshin ekpertizë për të dyja vendet dhe që ka qenë edhe gazetar i Zërit të Amerikës, thotë se teknologjia dhe globalizimi paraqesin sfida të reja për ndërveprimin mes njerëzve dhe qeverive.

Puna për disa organizata prestigjioze, e përqendruar tek strategjitë, reformat dhe qeverisja e mirë, e kanë bërë Aleksandër Dardelin ta shohë zhvillimin si shumën e përpjekjeve të informuara, mbështetur tek përvoja e mëparshme, prirjet në drejtime të caktuara dhe veprimet e matura të elitave.

Firma IBI prane Uashingtonit, ku ai është zëvendës president, ofron shërbime këshillimore për qeveritë, për politikat makroekonomike të rritjes.

“Ne shikojmë ciklet historike të një vendi: konfliktet, luftrat, prirjet demografike dhe mundësitë që kanë ato për të krijuar konflikte, ndryshimet politike, ndryshimet shoqërore, ndryshimet në resurse, aksesi në ujë, aksesi në burime bujqësore, i integrojmë të gjitha këto të dhëna dhe përpiqemi të bëjmë parashikime, aq të sakta sa janë të mundshme”.

Zoti Dardeli vlerëson ndryshimet pozitive në Shqipëri përfshirë kalimin nga diktatura në një vend relativisht të lirë, daljen nga mjerimi ekonomik i viteve ’90 – ’91, si edhe integrimin në strukturat e sigurimit perëndimor, sidomos anëtarësimi në NATO në vitin 2009.

Ndërsa për Kosovën, ai thotë se krijimi i shtetit të ri me shumë mundësi përpara, ishte një ngjarje e madhe për gjithë shqiptarët. Por ai vë në dukje edhe disa probleme që duhen pranuar.

“Në Shqipëri vazhdon një ngërç politik prej vitesh të tëra, që është bërë bllokim për arritjen e disa rezultateve dhe disa kërkesave që kanë vetë elitat shqiptare për zhvillim. Në radhë të dytë ka probleme me korrupsionin, ka probleme me qeverisjen e mirë, sidomos përsa i përket gjyqësorit dhe ekzekutivit por edhe probleme të tjera”.

Zoti Dardeli i sheh zhvillimet në rajon në një kontekst botëror dhe ekonomik, i cili siç thotë ai duhet analizuar me kujdes, në një botë në ndryshim e sipër.

“Kemi fenomene si globalizimi ose teknologjia, të cilat po ndryshojnë mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë, mënyrën sesi qeveritë qeverisin, menyrën sesi përkufizohet dhe kuptohet zhvillimi”.

Ky ndryshim ka sjellë një fragmentizim të vendim-marrjes nga qendra drejt niveleve më të ulëta, niveleve rajonale, niveleve lokale, si edhe e ka zhvendosur gjithnjë e më shumë hartimin e rregullave, kornizave ligjore, legjislative apo vendim-marrjen tek organizatat private. Në këtë drejtim zoti Dardeli thotë se Shqipëria dhe Kosova janë në nivelin fillestar.

“Për shembull, në rastin e Shqipërisë, akoma nuk është menduar saktë nga elitat shqiptare, nga elitat politike qofshin brenda qeverisë apo jashtë qeverisë se cili është roli kompetitiv, vendi kompetitiv i Shqipërisë në botë. A do të jetë Shqipëria një oborr i pasëm i Bashkimit Evropian për industri të lehta shërbimesh, a do të zgjerohet Shqipëria drejt fqinjëve imediatë, për të krijuar një zonë të lirë ekonomike në Ballkan, apo do të jetë Shqipëria një trampolinë për prodhues të fuqishëm botërorë, si Japonia, Kina, apo India për në BE”.

Firmat si IBI e zotit Dardeli ndihmojnë vende si Shqipëria dhe Kosova të marrin vendime sa më të sakta. Ideja e zotit Dardeli është që vendet të jenë përgatitura për të përballuar situata të pritshme. Ai sjell si shembull krizën ekonomike botërore që ka filluar të ndjehet në Shqipëri. Duke e vënë veten në pozitat e një vëzhguesi të jashtëm ai thotë se duket se Shqipëria nuk e ka bërë këtë punë përgatitore ende.

“Sfida është e qytetarëve shqiptarë që ndoshta në të ardhmen e afërt, 2013, 2018, 2020 të ushtrojnë presionin e duhur tek elitat e tyre, që këto elita në radhë të parë të gjejnë gjuhën e duhur për kompromise, për kapërcimin e ngërçeve dhe për të kryer këto analiza afatgjata që nuk varen nga ciklet politike”.

Zoti Dardeli thotë se ciklet politike janë elementë të domosdoshëm të zhvillimit, si element demokratik që sjell frymëmarrje të re përmes zgjedhjeve.

“Problemi është si të integrohet vendim-marrja afatgjatë në ciklin politik dhe sa mendjehapur është cikli politik, elitat që janë pjesë e shtetit për t’i përfshirë këto konsiderata në vendim-marrjen e tyre. Këtu mendoj se ka punë për të bërë në Shqipëri dhe në Kosovë. Këtu mendoj se ka vend për rritje në elitat politike shqiptare në të dyja anët e kufirit”.

Zoti Dardeli mendon se ka filluar ndryshimi i mentalitetit në Ballkan, ku brezi i ri në Kosovë, në Shqipëri, në Mal të Zi, në Maqedoni qoftë edhe në Serbi është më tepër i orientuar nga rezultati, nga zgjidhjet sesa nga debati dhe konflikti. Por ai thotë se tani duhet që elitat politike të mos bëhen pengesë dhe ta integrojnë këtë mënyrë të re të menduari në vendim-marrje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG