Lidhje

Moska: Bisedime për armëpushim në Alepo


Rusia tha sot se kanë filluar bisedimet për të pezulluar bombardimet siriane mbi qytetin e Alepos, që shërben si bazë e kryengritësve. Bisedimet pasuan kërkesën amerikane që armëpushimi i vendosur në zona të tjera të Sirisë të shtrihet edhe mbi Alepon.

Lejtnant Gjenerali Sergei Kuralenko, kreu i qendrës koordinuese ruse në Siri, tha për agjencitë ruse të lajmeve se po zhvillohen aktualisht bisedime aktive për të vendosur në Alepo “një regjim heshtjeje” – siç e quajti ai.

Ai shtoi se është zgjatur për 24 orë edhe armëpushimi në lagjen Guta Lindore pranë Bagdatit, ndërkohë që janë ndërprerë luftimet edhe në provincën Latakia.

Gjendja në Alepo është bërë simbolike e luftës civile pesë vjeçare në Siri, mes forcave besnike të Presidentit Bashar al Assad dhe grupeve kryengritëse që përpiqen ta rrëzojnë nga pushteti. Organizata joqeveritare Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britani tha se 250 civilë janë vrarë në Alepo nga bombardimet që më 22 prill. Këtu përfshihen edhe 50 të vrarë në një spital që operohej nga Mjekët Pa Kufi, i cili u godit nga një sulm ajror.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG