Lidhje

Beteja në Alepo drejt përfundimit


Organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut njofton se beteja për qytetin sirian Alepo është drejt përfundimit, ndërsa forcat rebele po tërhiqen edhe nga pozicionet e tyre të fundit në qytet.

"Është thjesht çështje kohe... Është një kolaps i plotë", tha drejtori i organizatës, Abdul Rahman.

Forcat siriane përparuan dje në Alepo, në veri të Sirisë, ku morën një lagje në jug të qytetit që më parë kontrollohej nga kryengritësit. Ndërkohë trupat siriane po vazhdojnë goditjet ajrore kundër zonave të tjera që ende kontrollohen nga forcat opozitare.

Organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut pati njoftuar se pasi forcat qeveritare rimorën zonën Sheikh Saeed, ato kontrollonin 90% të territorit që e kishin marrë kryengritësit në lindje të Alepos në vitin 2012.

Si organizata, ashtu edhe media shtetërore siriane njoftojnë se mijëra vetë janë larguar nga zonat e kontrolluara nga kryengritësit gjatë orëve të fundit.

Ka thuajse një muaj që forcat tokësore siriane me mbështetjen e njësive ruse vazhdojnë ofensivën drejt Alepos, pas një muaj goditjesh ajrore që shkatërruan në masë qytetin dhe pas një rrethimi të gjatë që la shumë civilë në nevoja urgjente ushqimi dhe ilaçesh.

Palmira nën kontrollin e ISIS

Ndërkaq, njoftohet se rreth 200 km në juglindje të vendit, xhihadistët e Shtetit Islamik kontrollojnë plotësisht Palmirën dhe rrënojat e lashta të qytetit, pas katër ditë luftimesh.

Rami Abdel Rahman, drejtor i organizatës Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se pjesa moderne e Palmirës, ku ndodhet edhe aeroporti është në duart e ISIS, po ashtu edhe zona arkeologjike dhe kështjella historike e qytetit.

Një deklaratë e kësaj organizate shprehet se ushtria siriane u tërhoq të dielën nga pozicionet e saj në juglindje, pas një beteje të ashpër disa orëshe.

Një deklaratë e Ministrisë ruse të Mbrojtjes thotë se avionë luftarakë rusë kanë kryer 64 goditje kundër “pozicioneve, autokolonave dhe njësive rezervë të ekstremistëve” në këtë qytet që është përfshirë që nga 1986 në listën e UNESCO-s për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore botërore.

Avancimi i ekstremistëve në provincën Homs ndodh nëntë muaj pasi forcat e ISIS u dëbuan nga ky qytet nga trupat qeveritare dhe njësitë ruse në një kundër-ofensivë që në atë kohë u cilësua nga qeveria siriane si një “goditje fatale” ndaj organizatës xhihadiste të ISIS.

Agjencia shtetërore siriane e lajmeve pohoi dje se Palmira kishte rënë në duart e ISIS në një njoftim ku flitej për një sulm prej 4 mijë luftëtarësh të Shtetit Islamik. Njoftimi i agjencisë SANA thotë se sulmi i ISIS u realizua nga disa drejtime dhe se shumë automjete të forcave xhihadiste ishin mbushur me sasi të mëdha eksplozivi.

XS
SM
MD
LG