Lidhje

Bashkëpunimi italo-shqiptar për refugjatët


Një grup ekspertësh të policisë italiane pritet të mbërrijnë në Shqipëri, për të bërë një vlerësim të situatës në kufirin shqiptaro-grek dhe nevojave për ndihmë të kërkuara nga pala shqiptare, kryesisht në mjete dhe aparatura për kontrollin e kufijve.

Ndërkohë që pas vizitës në Romë të ministrit të Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri, do të jetë homologu i tij italian, Angelino Alfano, i cili do të vizitojë së shpejti Tiranën, për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi e cila përfshin ndër të tjera dhe çështjet e kufirit dhe migrimit.

Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Kutillo, tha sot se sipas tij, gjendja tani ka mbërritur në një pikë delikate, sepse autoritetet europiane deklaruan se rruga ballkanike u mbyll dhe nuk dihet ende nëse refugjatët do të mbeten në Greqi, apo do të kthehen pas në Turqi, u shpreh ambasadori italian.

Në Shqipëri është rritur frika për një dyndje të mundshme të refugjatëve që ndodhen në Greqi, vecanërisht pasi ditët e fundit autoritetet greke, transferuan 162 prej tyre në Konicë, shumë pranë kufirit shqiptar. Në disa prononcime për mediat shqiptare,

Drejtori i Kufirit Genc Merepeza është shprehur se në pamundësi të një porte dalëse që do të lejonte udhëtimin e refugjatëve drejt Europës Qëndrore, ku ata synojnë të shkojnë, Shqipëria nuk mund të lejojë kalimin tranzit nëpër territorin e saj.

Situata e refugjatëve pritet të jetë në qendër edhe të vizitës së parashikuar të premten në Tiranë, të komisionerit europian për Sigurinë dhe Migracionin Dimitris Avramopoulos.

Greqia: Tre strehimore të reja për refugjatët afër kufirit shqiptar

Autoritete greke njoftuan se po punojnë intensivisht për përgatitjen e tre qendrave të reja të strehimit të refugjatëve në zonën e Janinës, qytetit kufitar me Shqipërinë.

Sipas burimeve zyrtare greke operacionet po kryhen nga njësitë ushtarake. Operacionet përfshijnë krijimin e kushteve në një ish konvikt në zonë e Pogonit, afër kufirit shqiptar, ku pritet të vendosen 200 refugjatë.

Një tjetër kamp po përgatitet në zonën e Filipiadhës në afërsi të Janinës që pritet të ketë një kapacitet prej 700 refugjatësh, për tetë muaj. Punimet po kryhen edhe në aerodromin e vjetër ushtarak në Janinë për të krijuar infrastrukturë të domosodoshme për të pritur një numër më të madh të refugjatëve.

Në këtë mjedis po përfundojnë instalimet e rrjetit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve si dhe përmirësimi i terrenit.

Pak ditë më parë autoritetet greke transportuan 162 refugjatë Sirianë nga Porti i Pireut në një qendër refugjatësh në Konicë, një qytet rreth 60 km larg kufirit shqiptar. Refugjatët u thanë mediave lokale greke se donin ta vijonin udhëtimin kryesisht drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera perëndimore.

XS
SM
MD
LG