Lidhje

Përgjigja e Algjerisë për krizën e pengjeve


Duke patur parasysh luftën e përgjakshme civile në Algjeri në vitet 90 kundër ekstremistëve myslimanë, nuk është për t'u habitur mënyra e ashpër me të cilën Agjeria e zgjidhi krizën e pengjeve në Sahara, ku u vranë dhjetëra njerëz. Për të ardhmen, analistët parashikojnë një përmirësim të marrëdhënieve të Algjerisë me ish-fuqinë koloniale, Francën, përfshirjen e saj më aktive në konfliktin në Mali dhe shqetësimet se islamistët vendas mund të hakmerren. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant njofton nga Parisi.

Brenda më pak se një jave, Algjeria u bë nga spektatore e luftimeve kundër ekstremistëve në Malin fqinj, në faktorin kryesor që i dha fund sulmit terrorist në një uzinë gazi në shkretëtirë.

Qeveria i del në mbrojtje reagimit të ashpër ushtarak ndaj krizës së pengjeve, që konsiderohet si nga më të përgjakshmet e kohëve të fundit.

Në një conference për shtyp për televizionin francez, kryeministri algjerian Abdelmalek Sellal tha se sulmi i ushtrisë kundër pengmarrësve në kompleksin e gazit Ain Amenas ishte i drejtë pasi ata synonin t'i vrisnin pengjet. Ky reagim, thotë ai, dërgon një mesazh të fuqishëm se për terrorizmin nuk ka vend në Algjeri.

Por disa qeveri të huaja, shtetasit e të cilave u vranë në këtë ngjarje, kanë shtruar pyetjen nëse Algjeria mund ta kishte shmangur një numër kaq të madh viktimash. Analisti afrikano-verior Kader Abderrahim, profesor në Institutin për Studimet Politike në Paris, shkon më tej, duke e quajtur operacionin një dështim.

"Ajo që mund të them me siguri tani është se imazhi i qeverisë algjeriane në botë është dëmtuar. Tani e dimë se ky regjim nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë asnjëherë. Brutaliteti është politika që ndiqet, kjo është e gjitha”.

Por të tjerë besojnë se çdo kritikë ndërkombëtare do të fashitet me shpejtësi. Monsouria Mokhefi, që drejton programin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore në Institutin francez për Marrëdhëniet Ndërkombëtare thotë se askush nuk duhet të çuditet nga reagimi i Algjerisë.

"Çdokush që di dicka rreth regjimit algjerian nuk mund të priste asgjë tjetër veçse një përgjigje të ashpër, të fuqishme dhe brutale. Kjo ka qënë gjithmonë veçori e forcave algjeriane kur janë përballur me terrorizmin – dhe atyre u është dashur të përballen shpesh me të gjatë dy dekadave të fundit."

Në vitet 90, Algjeria u zhyt në në luftë civile të përgjakshme që vuri përballë qeverinë e mbështetur nga ushtria kundër ekstremistëve islamikë. Dhjetra mijëra njerëz u vranë. Ndonëse presidenti Abdelaziz Bouteflika u përpoq për një të ashtuquajtur ripajtim civil pas zgjedhjes së tij në vitin 1999, plagët e konfliktit vazhdojnë. Mijëra njerëz ende figurojnë të zhdukur. Algjerianët e thjeshtë fajësojnë islamikët dhe forcat e sigurimit të qeverisë. Ja ç'thotë analisti Mokhefi:

"Këto grupe të reja ekstremiste u sollën në mendje të gjithëve se megjithëse lufta civile përfundoi 10 vjet më parë, megjithëse është ndjekur politika e pajtimit civil nga Bouteflika, terrorizmi është ende gjallë dhe ende i aftë për të sulmuar… dhe e bëri këtë në zemër të Algjerisë."

Incidenti i pengjeve, thotë analisti Mokhefi, mund të çojë gjithashtu në një përgjigje më aktive të Algjerisë ndaj terrorizmit jashtë kufijve të saj, duke filluar me Malin fqinj.

William Lawrence, drejtor i projektit për Afrikën Veriore në Grupin Ndërkombëtar të Krizave mendon njëlloj. Kriza e pengjeve ka sjellë një të papritur tjetër, thotë ai – një afrim mes Algjerisë dhe ish kolonizatores së saj, Francës, e cila po ndihmon Malin të luftojë ekstremistët.

"Nga 15 apo 20 vendet e përfshira në konfliktin në Mali, Franca ishte në një anë të spektrit dhe Algjeria në anën tjetër për sa i takon asaj se çfarë duhet bërë. Algjerianët donin një qasje më të butë, me më shumë negociata, ndërsa francezët një përgjigje më të shpejtë dhe më të fuqishme dhe tani Agjeria dhe Franca duket se janë afruar dhe kanë të njëjtën qasje."

Në Agjeri, politikanët e opozitës i kanë kritikuar operacionet ushtarake. Por shume algjerianë të thjeshtë, që shpesh kritikojnë qeverinë e tyre, e kanë vlerësuar reagimin e ushtrisë. Kriza e pengjeve mund të ketë përfunduar, por fundi i betejës së Algjerisë kundër terrorizmit duket se është ende larg.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG