Lidhje

Ali Ahmeti rizgjidhet kryetar i BDI


Ali Ahmeti u rizgjodh kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim në Kongresin e tretë të partisë që po mbahet në Tetovë. Të gjithë delegatët, 675 gjithsej, votuan për zotin Ahmeti, i cili nuk pati asnjë kundër-kandidat për postin e drejtuesit të partisë.

Zoti Ahmeti duke folur para delegatëve, tha se ai nuk do t’i zhgënjejë anëtarët e partisë dhe se do të vazhdojë përpjekjet për ndërtimin e vlerave dhe parimeve.
Zoti Ahmeti kërkoi nga të gjithë anëtarët dhe zyrtarët e BDI-së të jenë të përgjegjshëm, ndërsa u kujtoi llogaridhënien, për çka tha se “është vlerë qe mund të ndikojë në përmirësimin qoftë të sjelljes apo të angazhimeve që bëjmë”.

Drejtuesi i BDI-së tha se besimi i dhënë nga votuesit në zgjedhjet e fundit shton përgjegjësitë e zyrtarëve të partisë, ndërkohë që, nga ana tjetër, ai shprehu shqetësim lidhur me gjendjen politike si pasojë e vendimit të opozitës për të mos i pranuar mandatet e deputetëve në Parlament.

Ai arsyetoi nevojën për zgjedhje të parakohëshme parlamentare me qëllim të, siç tha, ”lënies së hapsirës për menaxhimin e çështjeve të rëndësishme përpara të cilave ndodhej vendi”.

BDI dhe VMRO-DPMNE duket se kanë përfunduar bisedimet për formimin e koalicionit të ri qeveritar, por asgjë nuk kanë bërë publike se cilat poste qeveritare do t’i lihen partisë shqiptare. Sipas burimeve brenda BDI-së, nuk do të ketë shumë ndryshime nga mandati qeveritar 2011-2014, ku partia kishte pesë ministra dhe një zëvendëskryeministër.

Ndërkohë, sipas të gjitha gjasave, Ministria e Mbrojtjes që drejtohej nga një kuadër i BDI-së në mandatin e kaluar, tash do t’i lihet VMRO-së, për shkak të raporteve të BDI-së me presidentin e rizgjedhur Gjorgje Ivanov. Partia shqitare vazhdon të mos e njohë legjitimitetin e këtij të fundit, pa dhënë ndonjë arësye të qëndrueshme për këtë vendim. BDI-ja ngulte këmbë për një president me konsensus të gjerë politik, një kërkesë kjo jokushtetuese, sipas njohësve të rrethanave ligjore.

Të enjten në mbrëmje, sipas pritjeve, do të dihen emrat e kandidatëve të BDI-së për ministra të rinj në qeverinë e re të Maqedonisë. Nga bisedimet në mes dy partive nuk është kuptuar se si do t’i shkrijnë programet partiake dhe premtimet parazgjedhore në mandatin e ri qeveritar. BDI-ja në fushatën zgjedhore doli para votuesve shqiptarë të Maqedonisë me mbi njëmijë projekte të cilat pret t’i realizojë deri në vitin 2018.
XS
SM
MD
LG